Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vitet e fundit, falë të kaluarës së saj historike dhe zhvillimit të turizmit dentar, shkruan Sezen Bakan në një artikull të botuar në të përditshmen australiane “The New Daily”.
Vitin e kaluar, Shqipëria u rendit e katërta në nivel global për rritjen më të madhe (në përqindje) të numrit turistëve ndërkombëtarë, pasi shënoi një rritje prej 56 për qind krahasuar me vitin 2019, sipas Organizates Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara.
Kompania e udhëtimit “Intrepid Travel” raportoi një rritje prej më shumë se 30 për qind në rezervimet për udhëtimet në Shqipëri vetëm midis viteve 2023 dhe 2024.
“Duke qenë se Shqipëria hapi dyert për vizitorët vetëm 30 vjet më parë, ajo mbetet kryesisht e paprekur, me shumë më pak turistë se Greqia ose Kroacia fqinje”, tha drejtuesja e projektit të “Intrepid Travel”, Dyan Mckie.
“Me peizazhe të gjera që variojnë nga qytetet buzë plazhit deri te qytetet plot zhurmë, produktet e freskëta vendase, bujqësia e qëndrueshme dhe ushqimet e gatuara në shtëpi, Shqipëria ofron shumëllojshmërinë dhe përvojat që u pëlqejne vizitorëve”, tha ajo.
“Është një vend që ende ndihet si një zbulim”, tha Mckie.
“Udhëtimet tona në Shqipëri ofrojnë një opsion më buxhetor se shumë destinacione të tjera evropiane, me një kosto mesatare ditore prej rreth 288 dollarë krahasuar me mbi 400 dollarë në vende si Spanja, Italia apo Greqia”, tha ajo.
“Është një atraksion i madh për turistët që kërkojnë përballueshmërinë pa kompromentuar përvojën”, theksoi ajo.
Rritja e fundit e turizmit është shumë larg “personalitetit” të mëparshëm të Shqipërisë – si një diktaturë komuniste e mbyllur.
Gjatë kulmit të sundimit komunist, diktatori Enver Hoxha mbylli kufijtë e vendit dhe ndërtoi qindra mijëra bunkerë.
Mbikëqyrja shtetërore dhe brutaliteti i dha Shqipërisë pseudonimin “Koreja e Veriut të Evropës”.
Pas tre dekadash, që kur Shqipëria u bë demokraci, turistët janë të lirë të eksplorojnë të kaluarën magjepsëse të një vendi që ka parë ngritjen dhe rënien e qytetërimeve që datojnë mijëra vjet më parë.
tani historia ka ndryshuar. Ne po bëjmë gjëra të reja, kjo është Shqipëria e re”, shtoi ai.
Pjesë të tjera të historisë së pasur të Shqipërisë (nën sundimin e perandorive romake dhe osmane) janë gjithashtu atraksionet kryesore, së bashku me fshatin idilik të vendit.
Për shembull, qyteti i Beratit është i njohur për shtëpitë e tij të stilit osman dhe kishat bizantine, ndërsa fshati i Thethit tërheq adhuruesit e natyrës në pyjet dhe malet e Shqipërisë.
Buzëqeshje të reja – dhe pjesë të tjera të trupit – me ofertë
Historia, kultura, natyra dhe ushqimi i Shqipërisë nuk janë atraksionet e vetme turistike të Shqipërisë – turizmi mjekësor ka dëshmuar gjithashtu të jetë një ndihmë për një vend të vogël.
Shqipëria po mirëpret vizitorë që kërkojnë të bëjnë operacione estetike cilësore – më lirë se në vendet e tyre.
Kjo mund të variojë nga trajtimet dentare deri te përmirësimi i gjoksit.
Botox-i i popullarizuar globalisht mungon dukshëm në oferta, pasi importi i tij për trajtime me injeksion është i ndaluar në Shqipëri.
Francezi, Stephane Pealat është një nga shumë persona që kanë vizituar Shqipërinë për një buzëqeshje të re dhe të përballueshme.
Në një intervistë për AFP, Pealat tha se operacioni i implantit dentar që ai zgjodhi kushtoi rreth 50,000 euro në Francë, krahasuar me vetëm 13,500 euro në Shqipëri.
“Është e rëndësishme të kesh një buzëqeshje të bukur”, tha ai.
Shefja italiane, Vera Panaitov tha për AFP, se fillimisht kishte shkuar në Shqipëri për të bërë dhëmbët, por pasi kishte mbërritur në Tiranë, kishte zgjedhur të rimodelonte gjoksin dhe hollonte belin.
Dermatologia dhe pedagogja e universitetit me qendër në Tiranë, Monika Fida tha se 750 deri në 1000 pacientë të huaj vizitonin klinikën e saj çdo vit, – për trajtime me injeksione me acid hialuronik kryesisht në buzë.
Kreu i Shoqatës Kombëtare të Mjekëve të Shqipërisë, Fatmir Ibrahimaj u tha gazetarëve, si pacientët e huaj ashtu edhe ata vendas nuk duhet të mbështeten vetëm në reklamat në internet për procedurat estetike dhe duhet të bëjnë kujdesin e duhur përpara se t’i nënshtrohen trajtimeve.