Një total prej 1,024 futbollistësh nga të gjitha kampionatet e futbollit në Turqi, përfshirë lojtarët e Besiktas dhe Galatasaray, kanë marrë pjesë në baste të paligjshme, për të cilat janë pezulluar përkohësisht dhe janë referuar në komitetin disiplinor të Federatës Turke të Futbollit (TFF), raportuan mediat turke.
Sipas një deklarate nga Federata Turke e Futbollit (TFF), ata që u pezulluan përkohësisht përfshijnë portierin e Besiktasit, Ersin Destanoglu, mbrojtësin veteran Necip Uysal dhe lojtarët e Galatasarayt, Eren Elmalı dhe Metehan Baltacı. Deklarata e Federatës tha se të gjithë 1,024 lojtarët u ndëshkuan sipas Nenit 57 të rregullores së TFF-së, i cili u ndalon atyre të vënë baste në ndeshjet e futbollit, raportoi faqja e internetit Turkiye Today.
Për shkak të shkallës së çështjes, zyrtarët e TFF thanë se do të kërkonin leje nga FIFA për të hapur një afat të posaçëm transferimesh 15-ditor, në të cilin klubet mund të zëvendësonin lojtarët e ndaluar.
Federata gjithashtu shtyu të gjitha ndeshjet e divizionit të dytë dhe të tretë për dy javë, por konfirmoi se ndeshjet e Superligës dhe Ligës së Parë do të zhvilloheshin sipas planit.
/GazetaBlic Sport


