Rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 9 Shkurtit e rikthyen në vëmendje çështjen e përfaqësimit të barabartë në Kuvendin e Kosovës. Sistemi aktual, ku e gjithë Kosova funksionon si një zonë e vetme zgjedhore, ka favorizuar përqendrimin e votës në disa rajone specifike, duke lënë pjesë të tjera të vendit të nënpërfaqësuara.
Kjo ka bërë që të votohen kandidatët disa subjekte politike të përqendruar kryesisht në bastionet tradicionale, duke kufizuar mundësinë e përfaqësimit të balancuar nga të gjitha rajonet. Si rezultat, shumë kandidat nga rajone të tjera nuk kanë mundur të sigurojnë mbështetjen e nevojshme për t’u bërë pjesë e Kuvendit, ndërkohë që përfaqësimi mbetet i dominuar nga zona të caktuara.
Ndryshimi i fundit në ligjin zgjedhor, i cili rriti numrin e kandidatëve për të cilët mund të votojë një qytetar nga pesë në dhjetë, jo vetëm që nuk e ka përmirësuar situatën, por përkundrazi e ka përkeqësuar atë. Ky ndryshim ka ndikuar në centralizimin edhe më të madh të votës, pasi votuesit janë orientuar drejt kandidatëve nga i njëjti rajon, duke e bërë edhe më të vështirë përfaqësimin e drejtë dhe të balancuar nga të gjitha zonat e vendit.
Një reformë zgjedhore që ndan Kosovën në disa rajone zgjedhore do të siguronte një përfaqësim më të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Ky ndryshim do të kontribuonte në fuqizimin e demokracisë, duke garantuar që çdo qytetar dhe çdo rajon të ketë zërin e vet në vendimmarrje.