Lajme

Më shumë dhunë në familje e persona të arrestuar gjatë 2024-tës

12/31/2024 14:27
nga:G C

Policia e Kosovës ka paraqitur raportin vjetor të punës për vitin 2024.

Sipas të dhënave të publikuara,  në vitin 2024 janë shënuar 17 vrasje, ku krahasuar me vitin 2023 ka një rënie prej 41.38 për qind të kësaj vepre penale, pasi gjatë vitit 203 janë shënuar 29 raste të tilla.

Në 2024-tën pati rënie edhe të veprës penale “lëndim i rëndë trupor”, krahasuar me vitin 2023. Në vitin 2024 u shënuan 197 vepra penale “lëndim i rëndë trupor”, krahasuar me vitin 2023 ku patën ndodhur 209 raste të tilla.

E, gjatë këtij viti, pati rritje të rasteve të dhunës në familje, për dallim nga viti 2023. Në vitin 2024 u shënuan plot 2 mijë e 387 raste të dhunës në familje, teksa në vitin 2023 u patën shënuar 2 mijë e 251 raste të tilla.

2024-ta shënoi rritje për policinë edhe në aspektin e konfiskimit të armëve krahasuar me vitin 2023. Në vitin 2024 u konfiskuan 1 mijë e 586 armë, kurse në vitin 2023 u patën konfiskuar 1 mijë e 286.

Po ashtu, këtë vit u arrestuan 14 mijë e 36 persona, për dallim nga viti i kaluar që u patën arrestuar 13 mijë e 720.

Punë me policinë patën edhe grupet kriminale, ku gjatë vitit u shkatërruan 25 të tilla, ndërsa u konfiskuan 27.8 kilogram heroinë, 14 kilogramë kokainë e 1 mijë e 278 kilogramë marihuanë.

Përveç këtyre, policia sekuestroi apo ngriu në vitin 2024 një shtëpi, 66 banesa, katër lokale, 30 garazha, 29 parcela të tokave dhe ngriu 13 xhirollogari.