Lajme

Me rreth 45 minuta vonesë, nis seanca për buxhetin 2026 dhe marrëveshjet ndërkombëtare

02/13/2026 15:45
nga:Sh R

Me rreth 45 minuta vonesë, ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, e thirrur për ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare dhe shqyrtimin e parë të Projektbuxhetit për vitin 2026.

Seanca ishte paraparë të niste në orën 15:00, por që filloi në orën 15:40.

Pika e parë e rendit të ditës është plotësimi i vendimit për përbërjen e komisioneve parlamentare.

Pastaj do të shqyrtohen marrëveshjet ndërkombëtare, ku e para është ajo përmes së cilës hapet rruga për përfitimin e mjeteve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,

Pika e fundit është ajo për Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2026.