Lajme

“Me ose pa Albin Kurtin, Marrëveshja e Washingtonit do të realizohet pikë për pikë”

09/04/2021 14:23
nga:M K

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë se raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet të jenë me korrespodencë dhe me episode.

Ai këto komente i bëri përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, duke thënë se kur na i dhurojnë 55 automjete të blinduara për ushtrinë tonë, kur na i ofrojnë mbi gjysmë miliona vaksina për të na shpëtuar nga virusi COVID-19, Kurti me zë të lartë përmend Amerikën, por sipas tij, kur duhet të sillet me përgjegjësi të larta shtetërore për të zbatuar zotimet e përbashkëta atëherë fut kokën në rërë dhe dërgon vendin në labirinthe me shumë të panjohura.

“Para 1 viti Qeveria e Kosovës me Kryeministrin Hoti, bëri hapin e duhur me rëndësi historike për vendin duke nënshkruar marrvëshjen e inicuar nga partneri ynë kryesor SHBA, dhe pastaj të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Washington në prani të presidentit Trump”, u shpreh ai.

Ai tha se duhet konstatuar që kjo marrëveshje ishte dhe është në dobi për shtetin e Kosovës në shumë dimensione, duke përcaktuar kështu disa të tilla.

“Në dimensionin ekonomik: investime infrastrukturore në rrugë, hekurudha, nxitje të investimeve amerikane për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, shumëfishimin e burimeve të energjisë përmes rrjetit të gaz sjellësit”

“Në dimensionin e fuqizimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtarë: njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, pas një periudhë të gjatë pa asnjë njohje për shtetin e Kosovës”

“Në dimensionin e bashkëpunimit rajonal: Operacionalizimin e pikës së përbashkët kufitare në Merdare që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve me theks të veqantë të bashkëatdhetarëve tanë; bashkimi në iniciativa për bashkëpunim ekonomik rajonal; njohja e diplomave dhe qertifikatave profesionale”, ka shkruar Selmanaj.

Ai tha se rëndësi të veçantë kjo marrëveshje i kushton edhe çështjes tejet të ndjeshme të të pagjeturve ku te dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të zhdukur.

“Duhet rikujtu se sa ishim në detyrë, qeveria Hoti në të gjitha pikat e kësaj marrëveshje ka pas lëvizje dhe janë bërë hapa konkret për realizimin e saj.E ku jemi sot pas viti?! Asnjë lëvizje dhe asnjë veprim të vetëm nga qeveria Kurti për ta zbatuar këtë marrëveshje”

“Kryeministri Kurti dhe partia e tij, në vazhdimësi kanë shprehur qëndrimet se nuk do e respektojnë dhe zbatojnë marrëveshjen e washingtonit; se kjo marrëveshja na qenka kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik, se kjo marrëveshje paraqet “dëm, turp dhe rrezik për Kosovën”, se nuk ka vlerë juridike se nuk është sjellë për ratifikim në Kuvend, se mungon nënshkrimi i Presidentit Trump, se na u nda Kosova e na shkoj Ujmani?!”

“Të gjitha këto koha i dëshmojë si të pa vërteta, të pa qëndrueshme dhe qasje anti shtetërore.I pëlqeu apo jo dikujt, marrëveshja e Washingtonit është ndër marrëveshjet historike për popullin dhe shtetin e Kosovës. Kushdo që provon ta relativizoj rëndësinë e kësaj marrëveshje është kundër Kosovës dhe kundër interesave strategjike të saj”, thuhet në shkrimin e deputetit të LDK-së.

Tutje, Selmanaj shtoi se është i se bindur me ose pa Albin Kurtin kjo marrëveshje do të realizohet pikë për pikë

“Vonim po, por zgjidhje tjetër nuk ka”, përfundoi Selmanaj.