Lajme

“Me koordinim a pa koordinim”- ‘Loja’ e rrezikshme e Albin Kurtit me Amerikën, tema e radhës e “Expose”

02/11/2024 13:38
nga:Gazeta Blic

“Me koordinim a pa koordinim”.

Para disa muajsh, Kurti në dy fjalime të ndara në Kuvend kështu kishte ironizuar me opozitën. Fillimisht, në lidhje me arrestimin e kriminelëve serb në veri të vendit, e pastaj për draftin e Asociacionit.

Mirëpo, “koordinimi apo mos koordinimi” me Amerikën dhe aleatët tjerë të Kosovës u bë temë edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Franca, si tri shtetet kryesore që kanë mbështetur pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, për herë të parë kanë kritikuar në mbledhjen e Këshillit të Sigurumit të OKB-së, qeverinë e vendit tonë për mos koordinim në lidhje me Rregulloren e BQK-së për ndalimin e dinarit serb.

Vendimi i Bankës Qendrore për çështjen e dinarit ka nxitur reagimin e përfaqësues së SHBA-së në OKB, e cila ka kërkuar nga kryeministri Kurti që ta shtyej zbatimin e këtijvendimi.

Madje, ambasadorja amerikane  Linda Thomas-Greenfield në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila u mbajtë ditën e enjte tha se SHBA ka shprehur brengën për zbatimin e kësaj rregulloreje.

Ky “qortim” i SHBA-së ndaj Kosovës në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit, vjen vetëm disa ditë pasi ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier kishte kërkuar disa herë shtyerjen e zbatimit të këtij vendimi.

E, ky nuk është rasti i vetëm i “moskoordinimit” të Kurtit me partnerët kryesor të Kosovës.

Kurti që nga ardhja në qeveri, tash e tri vjet ka pasur disa herë“probleme” me SHBA-të dhe vendet tjera të QUINT-it.

Ai “telashe” me shtetet mike ka pasur edhe për çështjen e targave, për çështjen e kryetarëve në veri, dhe në shumë tematjera… Të gjitha këto, vetëm pse Qeveria ka vepruar pa njekoordinim me shtetet mike- në krye me SHBA-të.

Madje, për pasojë sot vendi ynë është i vetmi në Evropë që gjindet nën sanksione nga ana e Bashkimit Evropian, tash e sa muaj- sanksione këto që i kushtojnë Kosovës qindra miliona euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pavarësisht thirrjeve të SHBA-së dhe vendeve tjera aleate, edhe në mbledhjen e Keshillit të Sigurimit tha se nuk tërhiqet nga vendimi për dinarin.

Ai tha se Rregullorja e BQK-së nuk e pengon Serbinë që t’i ndihmojë serbët në Kosovë.

Për opozitën dhe një pjesë të analistëve kosovar, sjellja e Qeverisë Kurti po i kushton Kosovës.

Emisionin dokumentar “Expose”, prodhim i Gazeta Blic mund ta ndiqni sonte në Kanal 10 nga ora 21:30, dhe live në Youtube.