Sporti

“Me këta lojtarë që ka, Shqipëria mund t’i marrë gjashtë pikë në tetor”, gazetari Klaudio Ndreca zbulon detaje para “betejave” të kombëtares kuqezi

10/07/2021 21:13
nga:Lorik J

Kombëtarja e Shqipërisë ka para vetes dy ballafaqime sa të rëndësishme, po aq edhe të vështira në kualifikueset e Kupës së Botës 2022.

Shqipëria do të luajë të shtunën ndaj Hungarisë në ‘Puskas Arena’ me fillim nga ora 20:45, kurse tre ditë më pas rikthehet të luajë në ‘Air Albania’ në Tiranë ndaj Polonisë, poashtu nga ora 20:45, para mijëra tifozëve që po presin me padurim ballafaqimin e lojtarëve të Eduardo Rejas, shkruan GazetaBlic Sport.

Gazetari i mirënjohur shqiptar, i cili është kryeredaktor në një nga mediumet më të madha të sportit në Shqipëri “Sport Ekspress”, Klaudio Ndreca ka folur para këtyre dy dueleve shumë të rëndësishme të kombëtares kuqezi. Ai thotë se kualifikimi i kombëtares shqiptare në Kupën e Botës “Katar 2022” është shumë i vështirë, por entuziazmi ekziston.

“Për herë të parë mendoj se kemi një bashkim të dëshirës “së shfrenuar” me mundësinë. Ajo që po kërkon Shqipëria është e pamundur në dukje dhe çdo tifoz i futbollit në Europë do të mbetej i çuditur. Nëse ne do të marrim vendin e dytë, atëherë ylli botëror, Robert Lewandowski, do të mbetej pa Botëror. Ky nuk mund të jetë një detaj kalimtar. Por nga ana tjetër shqiptarët nuk e kanë arritur kurrë Botërorin dhe një gjë është e sigurt se dëshira dhe entuziazmi që do të kenë futbollistët tanë, zjarri i tyre, do të jetë shumë më i madh sesa Polonia. Shpeshherë në futboll fiton ekipi që e dëshiron më tepër, shpresoj të jetë dhe ky rasti ynë”, tha fillimisht Ndreca për ‘GazetaBlic Sport’.

Ndreca, gazetari i njohur shqiptar shton se në Hungari duhet të luhet për tre pikë – pasi lojtarët që përfaqësojnë kundërshtarët nuk luajnë në ekipe të njohura dhe nuk dihet shumë për ta dhe Shqipëria ka më shumë për të humbur sesa Hungaria.

“Në Hungari nuk duhet të ketë diskutime të tjera përveç tre pikëve të marra. Le ta lëmë renditjen në UEFA dhe FIFA për një moment, mund të më tregoni nëse ka tre futbollistë të Hungarisë që luajnë në ekipe të njohura? Askush nuk di asgjë për ta. Duke marrë parasysh ekipet ku luajnë, Shqipëria është realisht më e fortë. E për t’u kthyer te kampionati i Hungarisë, sërish rezulton një lojtar shqiptar si më i miri i tyre, Myrto Uzuni. Pra në Hungari duhet të shkojmë ne me stofin e favoritit dhe jemi kurioz sesi do ta mbajmë pasi në fund të fundit, Shqipëria ka më shumë për të humbur se Hungaria. Më tepër kam bindje këto tre pikë që do të merren në transfertë, pasi në “Air Albania” do të luhej një finale e çmendur që dyshoj se do të kishte një person që mund të bënte parashikimin e saktë. Por sigurisht që me këta futbollistë që Shqipëria ka sot, e ka mundësinë që t’i marrë gjashtë pikët. Jo vetëm që luajnë në ekipe të mira, por njihen prej vitesh së bashku dhe ia dinë lojën njëri-tjetrit pasi shumë prodhime kanë ardhur nga Shpresat dhe ekipet zinxhirë”, vazhdoi Ndreca.

Klaudio Ndreca është gjithnjë afër kombëtares dhe zbulon se tek kampi kuqezi flitet vetëm për Botëror dhe optimizmi është tejet i lartë, po aq sa edhe adrenalina. Ai poashtu zbulon se në “Air Albania” do të zbulohet një suprizë e madhe, pasi do të ketë një koreografi nga të gjitha tifogrupet shqiptare që janë shkrirë në TKZ.

“Të thuash se është optimiste dhe janë në adrenalinë të madhe, është pak. Kemi komunikuar me lojtarët dhe në këtë moment të gjithë flasin për Botërorin edhe brenda Kombëtares, po aq sa flasin tifozët jashtë saj. Të gjithë duan që të shkruhen me gërmë të artë në historinë e Shqipërisë, por mbi të gjitha do të ishte vitrina e karrierës së tyre dhe shumë futbollistë tanët janë të rinjë, do ta shfrytëzonin për transferime të rëndësishme. Po aq e vërtetë është se lojtarët më të vjetër e ndiejnë diferencën që ka në cilësi te ky grup aktual me ata që kanë qenë disa vite më parë. Askush prej tyre nuk e dyshon se Shqipëria do të kualifikohet në Europianin e ardhshëm duke marrë parasysh këtë lloj ecurie, por sigurisht që dëshira dhe gjithë fokusimi është te Botërori. Tifozët janë rikthyer që ta dashurojnë Kombëtaren pas krizës që pësuam me Panuçin. Arsyeja e një dashurie të re janë jo vetëm rezultatet, por ndryshimi i filozofisë së lojës. Në të kaluarën ishte e pamundur që të gjejë tre goditje në portë të Shqipërisë dhe një ndeshje ku kemi luajtur njësoj përgjatë 90 minutave duke krijuar raste para kundërshtarëve. Në shtator kemi dominuar dy kundërshtarë si Polonia dhe Hungaria, duke mos e njohur mbrojtjen dhe duke tentuar përgjatë 90 minutave që të sulmonim. Kjo nuk ishte parë më herët te Shqipëria dhe tifozët që janë mësuar të rrijnë me zemrën në dorë nga aksionet e shumta të kundërshtarëve, tani kanë nisur që të brohorasin për rastet që ne krijojmë. A është më tepër meritë e lojtarëve me cilësi që kemi tani apo e Rejës? Koha do tregojë më mirë këtë gjë. Por tifozët janë duke u përgatitur dhe në Air Albania pritet një surprizë e madhe prej tyre me banderolë dhe do të jenë të gjithë grupimeve e tifozëve të shkrirë me TKZ.

Në fund, ai ka folur edhe për Përfaqësuesen e Kosovës, ku thotë se aktualisht “Dardanët” po çalojnë në fazën e sulmit, ndërsa shtoi se duhet punë e madhe edhe në Përfaqësueset e Shpresave, pasi suksesi vie zinxhirë.

“Shiko, Kosova ka talente dhe futbollist që janë shumë premtues dhe gjithmonë kanë tërhequr vëmendjen e klubeve europiane. Por për të arritur lart duke të ketë një shpërndarje të cilësive. Pra nëse sulmi është shumë i mirë dhe mbrojtja çalon, atëherë e gjithë vlera e sulmit shpërbëhet. Ky ka qenë problemi i Kosovës në shumë vite. Nuk mund t’i dalësh ballëhapur rivalëve më të mëdhenj të Europës kur futbolli tregon edhe raste që mund ta ndëshkosh kundërshtarin me goditjen e vetme në portë. Tani Kosova po pëson më pak gola dhe është aspekt pozitiv, por është duke çaluar në pjesën e sulmit. Kur u arrit aq larg në Ligën e Kombeve ishte Rashica që po bënte namin në Gjermani, ishte Muriqi më i ndezur se kurrë për shënimin e golave, ishte Zeneli që në krahë të kujtonte yje të mëdhenj të futbollit. Këtë treshe, në atë formë që ishin dhe në atë kohë, do ta kishin zili shumë Kombëtare me histori në Europë. Por kjo është e keqja më e madhe e lojtarëve shqiptarë dhe diferenca me “Top-Player”. Këta të fundit e ruajnë rendimentin e tyre përgjatë shumë viteve, ndërsa te futbollistët tanë ndryshon brenda dy muajve. Tani Rashica është i parashikueshëm, Muriqi nuk e njeh golin në Serinë A dhe Zeneli po paguan rëndë dëmtimet e shumta. Duhet një punë e madhe që të niset nga ekipet zinxhirë të Kosovës dhe U-21, që kur të kthehet koka te Shpresat të gjenden futbollistë që opinioni t’i ushtrojë presion Challandes që përse nuk i thërret te ekipi i parë. Nëse vazhdon në heshtje opinioni dhe te Kosova U-21 nuk ka të paktën tre element që janë shumë të mirë, atëherë e ardhmja nuk ka sesi të jetë premtuese pasi nuk mund të gjenden pafundësisht lojtarë të formuar në moshë më të madhe”, përfundoi Klaudio Ndreca.

Vlen të potencohet se Kosova luan dy ndeshje këtë, fillimisht jemi mysafir ndaj Suedisë me datën 9 tetor, kurse në shtëpi presim Gjeorgjinë me 12 tetor.

/GazetaBlic Sport/