Për shkak se mbrojtja e të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq kërkoi të ndërprehet seanca fillestare në rastin “Banjska” me arsyetimin se kanë pranuar shkresat e lëndës në mënyrë elektronike dhe me vonesë, seanca u ndërpre.
Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, avokati Ljubimir Pantoviq kërkoi ndërprerje të seancës me arsyetimin se shkresat i ka pranuar në mënyrë elektronike dhe jo fizikisht. Ky deklarim i Pantoviq u përkrah edhe nga mbrojësit e të akuzuarve Maksimoviq dhe Toliq, avokatët Jovana Filipoviq dhe Millosh Deleviq.
Në anën tjetër, avokati Koci tha se kërkesa s’ka mbështetje ligjore sepse kanë mundur që ato shkresa t’i printojnë vetë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kurse, prokurori special Naim Abazi tha se ka qenë e pamundur që shkresat e lëndës të dorëzohen fizikisht, andaj i kanë dorëzuar në mënyrë elektronike.
Më pas, gjyqtari Hoti tha se konsiderojnë që Prokuroria e ka përmbushur obligimin ligjor të dorëzimit të shkresave të lëndës, andaj kërkoi që të kalohet me leximin e aktakuzës.
Mirëpo, avokati Pantoviq kërkoi sërish fjalën, duke thënë se shkresat i kanë pranuar në mënyrë elektronike të hënën pasdite dhe se nuk janë pëgatitur për seancë pasi që aktakuza është voluminoze dhe se të mbrojturit e tyre nuk e dijnë përmbajtjen e saj.
E prokurori Abazi tha se është e papranueshme kërkesa për shtyrje të shqyrtimit fillestare pasi që aktakuza dhe shkresat e lëndës janë dorëzuar dhe për këtë kanë dëshmi.
Më pas, Gjykata mori aktvendim dhe ndërpreu shqyrtimin fillestar, me qëllim që të akuzuarit të pajisen me akuzën dhe ta dijnë përmbajtjen e saj, e më pas t’iu jepet e drejta për deklarim rreth fajësisë.