Lajme

Me kë po takohet Kurti qe një javë në Athinë e s’po kthehet në Kosovë?

07/13/2021 22:55
nga:M K

“Në pamundësi për të qenë pranë jush, meqë jam në vizitë zyrtare jashtë vendit… ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë”.

Këtë adresim nga Athina e Greqisë, shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ua bëri sot banorëve të Komunës së Deçanit, të cilët tash e katër ditë po përballen me një helmim, shkaktari i të cilit ende nuk dihet zyrtarisht, shkruan Gazeta Infokus.

Një adresim të njëjtë nga po i njëjti vend, Kurti ua bëri një ditë më herët edhe djemve e vashave të ekipit olimpik që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2021.

“Në pamundësi të jem sot aty me ju, po ju drejtohem nga vendi i origjinës së Lojërave Olimpike antike dhe nikoqire të Lojërave Olimpike moderne – nga Greqia, nga Athina”, tha ai nëpërmjet një video-mesazhi.

Dhe turma pjesëmarrëse i duartrokiti figurës së tij të shfaqur në një monitor të madh.

Po me kë po takohet Kurti në Athinë që po e ka të “pamundur” të kthehet në Kosovë tash e gjashtë ditë.

Bazuar në atë që është shpërndarë në faqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit, Kurti po qëndron në Athinë me ftesë të kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, me të cilin edhe ka zhvilluar një takim.

Me 8 korrik, siç shkruan Gazeta Infokus, ai ka marrë pjesë në Tryezën e Rrumbullakët, të 25-tën me radhë, të organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist”, aty ku kanë marrë pjesë edhe kryeministra e ministra të vendeve të ndryshme, zyrtarë qeveritarë, vendimmarrës, drejtues të korporatave dhe akademikë.

Me 9 korrik, në ditën e dytë të edicionit, Kurti mori pjesë në panelin e diskutimit me temë “Evropa Juglindore: Rritja e Bashkëpunimit dhe Solidariteti”.

Të njëjtën ditë, Kurti u takua ndaras me zëvëndëspresidentin e Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi, Geoffrey Pyatt, ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë, Nikolaos Panagiotopoulos, liderin e partisë SYRIZA, Alexis Tsipras dhe me Kryeshefin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebraik, David Harris.

Pas datës 9 nuk ka informacione se çfarë bëri në Athinë në tri ditët pasuese. Tek sot, me 13 korrik u raportua se ai ka zhvilluar një takim me me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

Një informacion se ku është sistemuar Kurti me familje e ka dhënë ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou, me anë një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook. Ai tregoi se Kurti me familje po qëndrojnë në hotelin luksoz “Grand Resort Lagonissi”.

E derisa ai është në Athinë, në Kosovë ka marrë kritika të shumta nga oponentët politik.