Lajme

Më 22 dhjetor pritet të nis gjykimi ndaj dy të akuzuarve për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë

12/14/2022 10:34
nga:Astrit Gashi

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka caktuar më 22 dhjetor shqyrtimin fillestar ndaj dy të akuzuarve E.R dhe Sh.K. për dhunimin e 11-vjeçares në gusht të këtij viti në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar për dy të dyshuarit madhor E.R dhe SH.K. është caktuar me datën 22.12.2022 në ora 13:00”, tha Gashi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 8 dhjetor ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave: E.R. dhe Sh.K., (madhor), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022, ndaj 11-vjeçares.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri E.R., ngarkohet për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhu me paragrafin 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri Sh.K., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhej në njoftim.