Sporti

Me 15 nëntor në Kosovë organizohet Kampionati i Kosovës në Artet Mikse Marciale (MMA), hyrja falas

11/11/2025 19:53
nga:Lorik J

Më 15 nëntor, në sallën AMC, do të zhvillohet kampionati i parë i Kosovës në artet mikse marciale (MMA), i organizuar nga Federata e Arteve Mikse Marciale të Kosovës.

Në këtë garë do të marrin pjesë mbi 60 garues nga e gjithë Kosova, të ndarë në 8 kategori të ndryshme peshe, përfshirë edhe një kategori për moshat nën 18 vjeç.

Qëllimi i këtij kampionati është promovimi i sportit të MMA-së në vend dhe krijimi i një platforme zyrtare për sportistët vendas.

Federata e Arteve Mikse Marciale të Kosovës udhëhiqet nga Arben Latifi, vëllai i luftëtarit të parë shqiptar në UFC, dhe sipas organizatorëve, pritet që ai të jetë i pranishëm në këtë ngjarje historike.

Organizatorët kanë bërë të ditur se hyrja për publikun do të jetë falas, në mënyrë që të gjithë adhuruesit e sporteve luftarake të kenë mundësinë të ndjekin këtë aktivitet të rëndësishëm sportiv.