Lajme

Mbyllja e zyrave postare në veri, Pacolli: Asgjë e keqe, herët apo vonë është dashur të ndodhë

08/06/2024 14:59
nga:Sh R

Policia e Kosovës dje ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë që vepronin ilegalisht në veri të Kosovës.

Pas këtij veprimi ka pasur reagime të shumta nga aleatët ndërkombëtarë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se ky aksion është kundër dialogut Kosovë – Serbi, dhe se ky veprim çon në tensione të reja, kurse nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë shprehur thellësisht të zhgënjyer me veprimet e autoriteteve të Kosovës. Sipas ambasadës amerikane, këto veprime janë të njëanshme dhe të pakoordinuara, e të cilat sipas tyre, i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik të madh.

Njësoj ka reaguar edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ku këtë veprim e ka cilësuar si hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar nga ana e Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, ka reaguar edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ku tha se asgjë e keqe nuk është nga kjo, pasi që herët apo vonë është dashur që të mbyllen ato objekte.

Ai shton se gjithmonë për veprime të tilla ka pasur dhe do të ketë polemika, ku thekson se e rëndësishme është që çdo gjë të përfundojë mirë.

“Unë besoj se asgjë e keqe, herët apo vonë është dashur të ndodhë. Për veprime të tilla ka pasur dhe do të ketë polemika, me rëndësi çdo gjë do të përfundojë mirë”, tha Pacolli për GazetaBlic.

 

Mbyllja e degëve të Postës së Serbisë në veri, Rohde: Hapat e njëanshëm rrezikojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

Ambasada e ShBA-së për mbylljen e 9 degëve të Postës Serbe në veri: Të zhgënjyer me veprimet e njëanshme të qeverisë

Stano për aksionin në veri: Kundër dialogut, ky veprim çon në tensione të reja