Lajme

Mbyllja e lokaleve në Prishtinë/ Njohësit e ekonomisë tregojnë arsyet dhe si duhet të veprohet

03/19/2024 11:29
nga:N K

Disa kafiteri janë mbyllur së fundi në kryeqytet.

Kjo ka ngritur shqetësime dhe reagime të shumta.

Njohësi i ekonomisë, Zekrija Shabani, në një intervistë për GazetaBlic, duke folur për këtë temë, ka treguar arsyet pse janë mbyllur këto lokale, si dhe sa do të ndikojë që investitorët e rinj të investojnë në Kosovë.

“Mbyllja e disa lokalëve të natës në Prishtinë lidhet ngushtë me trendin e zhvillimit ekonomik në vend dhe mirëqenien e qytetarëve. Bizneseve iu është rritur kostoja e operimit me shtrenjtimin zinxhir të produkteve dhe shërbimeve, çfarë vërehet dhe në raportet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për inflacionin”, tha ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, investitorët e rinj do të hezitojnë të hynë në këtë treg, duke pasur parasysh rastet e fundit.

“Në rast se lokalet të cilat për një kohë kanë qenë ikonë e kryeqytetit, shuajnë aktivitetin e tyre për shkak të ambientit jo të mirë të të bërit biznes, normal që investitorët e rinj hezitojnë të hynë në një treg jo stabil dhe pa potencial”, u shpreh Shabani.

Ai tutje tregoi se sa ka ndikuar inflacioni dhe liberalizimi i vizave në shuarjen e këtyre lokaleve.

“Inflacioni është ndër arsyet kryesore, liberalizimi i vizave nuk besoj se ka pasur ndikim të madh përderisa nuk ka të dhëna për rënie të numrit të klientëve në fushën e gastronomisë”, tha ai për GazetaBlic.

Ndërsa, ekonomisiti Mustafë Kadriaj, në një prononcim për Gazeta Blic, ka treguar se cilët faktorët ndikojnë në mbylljen e një biznesi.

“Në ekonominë e tregut inflacioni dhe liberalizimi mund të llogariten ndër faktorët ekonomik që ndikojnë sepse shtrenjtimi i lëndës se parë për biznese dhe mungesa e fuqisë punëtore e vështirësojnë aktivitetin ekonomik të bizneseve duke bërë që të falimentojnë”, vlerëson ai.

Kadriaj thekson se për të evidentuar këtë problem, Qeveria duhet të ndërmerrë hapa të nevojshëm.

“Për të evituar këtë problem ekonomik duhet politika ekonomike nga ana e qeverisë, në uljen e tatimeve dhe taksave. Rritjen e dinjitetit në punë nga ana e bizneseve për faktin që fuqia punëtore deri tani janë trajtuar si skllav modern. Pa kontrata të dinjitetshme mos repsektim i orarit në punë, paga nën nivelin e standardit jetësorë si faktor që kanë rritur pa kënaqësinë dhe gatishmërinë për të larguar nga vendi”, tha Kadriaj për “GazetaBlic”.