Lajme

Mbyllja e degëve të Postës së Serbisë në veri, Rohde: Hapat e njëanshëm rrezikojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

08/06/2024 11:06
nga:Sh R

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës ku dje u mbyllën disa objekte të Postës së Serbisë në veri, duke e cilësuar si hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar nga ana e Kosovës.

Ambasadori Rohde në një reagim në platformën “X” ka thënë se ky veprim bie ndesh me marrëveshjet e dialogut e madje rrezikon edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

“Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por, edhe më keq, rrezikojnë që aplikimi për anëtarësim në BE i Kosovës të mbetet i mbërthyer në një kuti. Bashkimi Evropian lulëzon duke marrë me vete të gjithë anëtarët dhe komunitetet e tyre dhe ne kemi nevojë për të njëjtën qasje në nivel kombëtar”, ka shkruar Rohde në “X”.

Lidhur me aksionin e djeshëm, Kosova u kritikua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vendime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

SHBA-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndërpresë veprimet e mëtutjeshme “të njënashme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për t’i zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

NË anën tjetër, sipas BE-së, një veprim i tillë shkel dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa një marrëveshje të arritur paraprakisht, do të ndikojë negativisht në përditshmërinë dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, ka thënë blloku evropian përmes një deklarate.

BE-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut.

Policia e Kosovës pas një aksioni të zhvilluar dje në veri, ka mbyllur disa zyre të Postës së Serbisë në veri, pasi ushtronin funksionin e tyre pa licencë dhe të pa regjistruar në ARBK.

“Pas konsultimit me prokurorin nëntë nga to janë mbyllur. Zhvillimi biznesor ekonomik duhet të jetë i regjistruar, dhe të ketë licencë, fjala është për posta të cilat kanë funksionuar në mënyrë ilegale deri më tani”, tha Elshani.