“Ylli” francez, Kylian Mbappé, nuk do të marrë pjesë në turneun olimpik të futbollit me përfaqësuesen e Francës, të udhëhequr nga Thierry Henry. Shpresa për ta parë sulmuesin e famshëm në eventin më të madh sportiv të vitit është shuar përfundimisht.
Henry bëri gjithçka për ta pasur nën urdhrat e tij Mbappenë, madje kërkoi edhe ndihëm e presidentit të vendit Emmanuel Macron (ndërhyri personalisht te Florentino Perez), por ka qenë e kotë.
Sipas asaj që raporton “Cadena Cope”, diskutimet tani janë ndërprerë midis FFF dhe klubit “merengues”. Në fakt, nuk ka pothuajse asnjë shans që Mbappe të forcojë “Gjelat” në këtë ngjarje të madhe.
Reali nuk e ka zakon t’i lejojë lojtarët e tij të huaj të largohen për në Lojërat Olimpike dhe nuk ka ndërmend të bëjë përjashtim. Për futbollistët spanjollë sigurisht që është një histori tjetër, sepse rregulloret lokale e detyrojnë të mos bëhet pengesë për “La Rojan”.
Për Mbappe, duhet të jetë një zhgënjim që nuk do të jetë i pranishëm në Paris 2024. Ai e ka thënë gjithmonë se do t’i nënshtrohej vendimit të klubit, cilido qoftë ai. Dhe është e sigurt se ai nuk do të dalë kundër zgjedhjes së drejtuesve të Realit.