Ministria për Komunitete e Kthim e Republikës së Kosovës, nuk mund të gjendet askund në faqe interneti.
Nga 15 ministri që ka kabineti qeveritar aktual ,MKK-ja që udhëhiqet nga Goran Rakiq, është e vetmja që nuk ekziston hiq online.
Rakiq, që është edhe kryetar i Listës Serbe nuk është përgjigjur në thirrjet e Klan Kosova për këtë çështje.
Ai në petkun e ministrit të hënën ishte në Mitrovicë, ku përuroi nisjen e punimeve të Qendrës Kulturore në Komunën në veri të qytetit.
Nga ana e tij zëvendësministri për komunitete e kthim Gazmend Salijeviq, duke mos dhënë detaje se pse Ministria në fjalë tash e sa kohë nuk është e qasshme online askund deklaroi shkurt:
“Ky problem është duke u riparuar dhe se në sektorin e IT-së brenda në ministri po merren me këtë punë”.
Ministria për Komunitete e Kthim që nga themelimi i saj udhëhiqet nga politikanë të komunitetit serbë.