Lajme

Mbyllet aplikimi i subvencionimit për Pajisje Efiçiente për Ngrohje

10/05/2024 20:04
nga:Sh R

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar qytetarët e Kosovës se aplikimi për Thirrjen Publike për Mbështetje të Konsumatorëve Familjarë për Investimin në Pajisje Efiçiente për Ngrohje është mbyllur.

Sipas ministrisë, mbyllja e parakohshme, është rezultat i pranimit të një numri të mjaftueshëm të aplikimeve për shumën e caktuar për këtë thirrje.
Deri në mbylljen e thirrjes gjithsej kanë aplikuar 13 mijë e 415 qytetarë.

Pajisjet që do të subvencionohen përfshijnë:

Pompë Termike: 30% e vlerës investive, deri në 2000.00 euro;

Kondicioner/Klimë efiçiente: 40% e vlerës investive, deri në 400.00 euro; për prindërit vetushqyes dhe ata në ndihmë sociale (kategoria I & II), 60% e vlerës investive, deri në 550.00 euro;

Kalda me Biomasë (dru, pelet dhe briket): 70% e vlerës investive, deri në 1200.00 euro;

Stufa Individuale: 70% e vlerës investive, deri në 435.00 euro; për prindërit vetushqyes dhe qytetarët në ndihmë sociale, 90% e vlerës investive, deri në 560.00 euro.

“Komisionet për vlerësimin e aplikacioneve kanë filluar punën e tyre të procesit të verifikimit të aplikacioneve dhe dokumentacionit të nevojshëm. Të gjithë ata që kanë aplikuar do të njoftohen për ecurinë e procesit përmes mjeteve të informimit dhe rrjeteve sociale të Ministrisë së Ekonomisë”.

Subvencionimi i efiçiencës së energjisë mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Ministria e Ekonomisë.