Lajme

Mbrojtja kërkon nga Apeli zbutje të dënimit ndaj të akuzuarit se me sëpatë e thikë tentoi ta vriste vëllanë

02/14/2023 13:04
nga:N M

Në Gjykatën e Apelit të martën është shqyrtuar ankesa e mbrojtëses së të akuzuarit Burim Maznikolli, avokates Edona Sahatçiu- Gora, e cila ka kërkuar që të dënuarit me tetë vite burgim, Maznikolli, t’i zbutet dënimi. Edhe i dëmtuari A.M., kërkoi dënim më të butë, me kusht ose kthim të lëndës në rigjykim, pasi tha se janë pajtuar me vëllanë dhe ia ka falur.

Gjykata Themelore në Pejë, më 16 dhjetor 2022 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Burim Maznikolli, duke e dënuar me 8 vite burgim për tentim vrasje të vëllait të tij A.M., me sëpatë e thikë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ankesat kundër këtij aktgjykimi i ka shqyrtuar kolegji i përbërë nga gjykatësi Bashkim Hyseni (kryetar),Tonka Berishaj (gjykatëse referuese) dhe Burim Ademi (anëtar).

Ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë ka paraqitur mbrojtësja e të akuzuarit Maznikolli, avokatja Edona Sahatçiu- Gora, për shkak të vendimit mbi dënimin, me propozimin që ankesa të aprovohet si e bazuar, kurse të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim më i butë.

Avokatja Sahatçiu-Gora tha se mbeten në tërësi pranë ankesës së ushtuar, ndërsa kërkoi nga Apeli që lëndën ta kthejë në rigjykim ose ta ndryshojë aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë apo të njëjtit t’i shqiptojë një dënim më të butë.

Sipas saj, duket se gjykata e shkallës së parë ka marrë parasysh vetëm rrethanat rënduese, ndërsa si rrethanë lehtësuese ka marrë parasysh vetëm pranimin e fajësisë.

“Ne kemi konsideru se gjykata mund ta zbus këtë dënim brenda kufinjve të lejuar, e që gjykata e shkallës së parë nuk ka vepruar ashtu”, tha ndër të tjera Sahatçiu- Gora.

Në fund, ka thënë se ky dënim si nga ana e tyre, si nga ana e të dëmtuarit konsiderohet shumë i rëndë.

Ndërsa, i akuzuari Maznikolli kërkoi falje ndaj vëllait të tij, në këtë rast të dëmtuarit dhe familjes për gabimin që kishte bërë dhe tha se ishte penduar për çfarë kishte ndodhur.

Në këtë rast, i dëmtuari A.M., ka deklaruar se janë pajtuar dhe e ka falur, duke kërkuar për vëllanë një dënim më të vogël apo me kusht ose lënda të kthehet në rigjykim.

“Unë vëlla e kam, s’kam ku e çoj, na jena pajtu edhe kisha kërku një dënim ma të vogël ose me kusht ose me kthy në rigjykim”, tha i dëmtuari.

Në anën tjetër, gjykatësja Berisha tha se prokurori me propozim të 19 janarit 2023, ka propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtëses së të akuzuarit Maznikolli, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të aprovohet.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e ngarkonte të akuzuarin Burim Maznikollli, se më 12 tetor 2022, në fshatin Kosuriq, Komuna e Pejës, me mjet të mprehtë- sëpatë dhe me thikë, ka tentuar ta privojë nga jeta anëtarin e familjes, vëllanë e tij, të dëmtuarin A.M.

Sipas akuzës, thuhet se në ditën kritike, pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme në mes të pandehurit me familjarët e tij, lidhur me disa të holla nga shitja e bagëtisë, ku i pandehuri pretendonte se i dëmtuari nuk ia kishte dhënë pjesën e tij, i pandehuri i drejtohet me fjalët “pse i ke shitë lopët dhe pse s’m’i ke dhënë paratë që më takojnë mua”, dhe në atë moment shkon në objektin përcjellës të shtëpisë, ku merr një sëpatë me të cilën fillimisht e dëmton veturën e të dëmtuarit, më pas tenton ta godas të dëmtuarin në kokë.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari për t’u mbrojtur e vendos dorën e majtë përpara kokës dhe nga goditja merr lëndime në parakrahun e dorës së majtë dhe në kokë, pas kësaj, përderisa i dëmtuari me ndihmën e familjarëve arrin që ta shtrijë në tokë të pandehurin, ky i fundit nga xhepi i tij nxjerrë një thikë duke e goditur të dëmtuarin 3 herë në këmbën e majtë dhe 2 herë në kofshë dhe një herë në gju, ku si pasojë e goditjeve të marra i dëmtuari pëson lëndime trupore.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë”, nga neni 173, par.1, pika 1.3 e lidhur me nenin 28 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi