Mbrojtësit e të akuzuarve Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, avokatët Agron Selimaj dhe Ilir Rushiti, në shqyrtimin e dytë kanë kërkuar nga gjykata hudhjen e aktakuzës si të pabazuar dhe të pambështetur në prova fajësuese.
Nuredini në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Mehaj në cilësinë e menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA, akuzohen se duke keqpërdorur detyrën zyrtare ia kanë mundësuar OE “TCN International’ Sh.P.K. nga Tirana që të fitojë kundërligjshëm tenderin e kontratës së lartcekur dhe se me këtë i kanë shkaktuar dëm buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik në lartësi prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, gjykatësi Kujtim Krasniqi ka njoftuar se mbrojtësit e të akuzuarve Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, avokatët Agron Selimaj dhe Ilir Rushiti kanë paraqitur kërkesë për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës, duke konstatuar se para fillimit të kësaj seance një kopje e përgjigjes së Prokurorisë Speciale i është dorëzuar palëve në procedurë.
Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Bahri Nuredini, avokati Agron Selimaj, tha se nga të paktën 25 pretendime të tyre të paraqitura në kërkesën për hudhje të aktakuzës, asnjëra prej tyre nuk është shqyrtuar dhe vlerësuar nga ana e prokurorit special.
Sipas tij, aktakuza ka pasaktësi ligjore dhe faktike dhe asnjë nga veprimet e përfshira nuk është e saktësuar plotësisht për të përshkruar tiparet ligjore të veprës penale.
“Në këtë dispozitiv përfshihen veprimet procedurale administrative, marrëdhëniet juridiko-civile, çështjet e procedurës së prokurimit, dhe më tej ne nuk e dimë nëse Bahriu për futjen e rilokimit të sistemeve ekzistuese në tender a po akuzohet për mosndërmarrjen e veprimeve mbrojtëse ndaj operatorëve ekonomik të paraparë me ligj dhe kontratë apo po akuzohet për moskonfiskim të garancisë së ekzekutimit të kontratës apo për mosshkëputjen e kontratës me operatorin ekonomik “TCN”, apo për zgjatjen e afatit të kontratës prej 523 ditëve në 1 mijë e 700 ditë, madje sipas dispozitivit nuk e dimë a janë paguar edhe 3% e shumës nga kontrata me “TCN”, apo edhe më tej mbetet shuma prej 97% e pretenduar nga dëshmitari subjektiv i kësaj çështje dhe i vazhduar nga eksperti financiar”, tha avokati Selimaj.
Ai shtoi se edhe më tej nuk dihet nëse komiteti drejtues ndërministror ka të drejtë të iniciojë dhe zhvillojë procedura të prokurimit e të cilat në dispozitiv të aktakuzës konsiderohen se nuk kanë autorizuar të akuzuarin të iniciojë dhe zhvillojë këto procedura dhe nuk dihet nëse 130 punëtorët e “ANP-së”, janë sistemuar në mënyrë arbitrare dhe me një marrëveshje kundërligjore në mes të “LIMAK” dhe “ANP-së”.
Sipas tij, të gjitha këto tregojnë se prokurori special nuk ka përdorur provat shfajësuese të prezantuara në atë kohë nga i dyshuari Nuredini, duke kërkuar kështu nga gjykata pushimin e procedurës penale ndaj të njëjtit.
Ndërsa, i akuzuari Nuredini tha se pas analizimit të aktakuzës dhe provave të paraqitura, ka vërejtur se prokuroria nuk i ka marrë fare për bazë dëshmitë që ai i ka ofruar, si dëshmia për insulencën financiare se cilët persona apo kompani kanë marrë mjetet financiare nga “ANP” me ekzekutime me përmbarues privat, e të cilat sipas tij kanë krijuar pamundësinë për t’i përmbushur obligimet ndaj operatorëve.
Sipas tij, dosjes nuk i është bashkëngjitur edhe pagesa prej 457 mijë e 518 euro, e cila është raport përmbledhës i projekt-menaxherit, i cili ka dhënë informatën se si është bërë pagesa.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Driton Mehaj, avokati Ilir Rashiti tha se prokuroria nuk ka arritur të kuptojë pretendimet të cilat bazohen në saktësinë e tyre me ato prova që janë të bashkëngjitura në shkresat e lëndës.
“Ndër të tjera, në ato prova ku orientohet prokuroria për pagesat e realizuara pas shkëputjes së kontratës e që këtu kemi dhënë sqarime duke iu referuar provave materiale se pse janë realizuar pagesat pasi që ka ndodhur shkëputja e kontratës, e pikërisht në këto prova mendoj se të njëjtat duhet të shërbejnë si prova shfajësuese ndërlidhur me diferencën e çmimit si dhe pretendimet në tërësi të gabuara në qëndrimet se është paguar dy apo tri herë për të njëjtin projekt, e që kjo fare nuk qëndron dhe argumentohet me prova materiale”, tha avokati Rashiti.
Ai po ashtu përmendi faktin se realizimi 100% i pagesave mbetet e paqartë dhe e papranueshme se si prokuroria sipas tij, nuk ka arritur që në sqarimet e tyre dhe provat e ofruara të kuptojë se përveç se nuk është përfunduar pagesa 100%, nuk është realizuar as projekti 100%.
“Tutje, ku kemi sqaruar se pas prerjes së situacionit dhe të gjitha pagesave dhe punëve të kryera në terren, ka pasuar edhe vazhdimi i procedurës për zotimin e kryerjes së punëve të mbetura dhe pagesave konform procedurave ligjore”, tha avokati Rushiti.
Ai theksoi se lidhur me këtë çështje, në asnjë pikë nuk mund të konsiderohet se është konsumuar ndonjë vepër penale, e aq më pak keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar.
Avokati Rushiti tha se akti akuzues nuk paraqet prova inkriminuese, të cilat mund të konsiderohen prova të qëndrueshme duke i propozuar gjykatës që aktakuza të hudhet si e pabazuar dhe e pambështetur në prova fajësuese.
Në anën tjetër, prokurori special Milot Krasniqi tha se mbetet në tërësi pranë përgjigjes së dhënë me shkrim lidhur me kundërshtimet e mbrojtësve, duke shtuar se aktakuza mbështetet në tërësi në prova të siguruara në mënyrë ligjshme.
Ndërsa, sa i përket gjendjes faktike, apo ndonjë pjese të saj, ai tha se është e mundshme që të ketë ndonjë ndryshim gjatë administrimit të provave.
“Sa i përket pretendimeve të mbrojtjes se nuk janë marrë në konsideratë provat shfajësuese, siç e dinë edhe gjykata por edhe mbrojtësit e të akuzuarve, në këtë lëndë penale është bërë pushimi i pjesshëm penal për një vepër penale të dytë, aktvendim i cili është pjesë e shkresave të lëndës dhe kjo tregon edhe seriozitetin dhe përkushtimin e prokurorit në vlerësimin e drejtë të gjendjes faktike”, shtoi prokurori Krasniqi.
Sipas prokurorit special, asnjë aktakuzë nuk mund t’i përfshijë në tërësi të gjitha veprimet e mundshme, por në të janë përfshirë vetëm veprimet inkrimunese qoftë në formë të veprimit, qoftë në formë të mosveprimit të cilat kanë relevancë.
Tutje, prokurori Krasniqi i propozoi gjykatës që kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave ta refuzojë si të pabazuar.
Gjykatësi Kujtim Krasniqi tha se lidhur me pretendimet e palëve do të vendos jashtë seance me aktvendim të veçantë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 11 maj 2022 nga Prokuroria Speciale, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj akuzohen se në periudhën kohore shtator 2011 deri në gusht 2018 në vazhdimësi në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), më pas Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA), kanë keqpërdorur detyrën zyrtare ia kanë mundësuar OE “TCN International” Sh.P.K. nga Tirana të përfitojë me rastin e dhënies së kontratës për aktivitetin e prokurimit ANP/KM-11-47-111 kundërligjshëm tenderin “Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese”.
Tutje, sipas aktit akuzues Nuredini në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Mehaj në cilësinë e menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA, akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim paraprak të Komitetit Drejtues Ndërministror (KDNM), kanë iniciuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit, ashtu që më 8 dhe 9 shtator, përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International” Sh.P.K., me vlerë të përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.
Ndërsa, thuhet në aktin akuzues se kontrata është nënshkruar më 6 tetor 2011, duke e ditur se “rilokimi i sistemeve ekzistuese” ishte pjesë e kontratës “PPP-09-001-611 e 12 gushtit 2010”, e lidhur në mes të KDNM-së të Projektit të Partneritetit Publiko-Privat (PPPP) dhe kompanisë “LIMAK Kosova Internacional Aeroport” J.S.C.
Andaj, sipas aktit akuzues, të akuzuarit e kanë futur rilokimin e sistemeve ekzistuese në tenderin e ri, edhe pse ky ka qenë obligim kontraktual i kompanisë “LIMAK”, ndërsa thuhet se gjatë zbatimit të projektit, nuk i kanë ndërmarrë masat mbrojtëse ndaj OE të parapara me ligj dhe kontratë, përfshirë konfiskimin e garancisë së ekzekutimit të kontratës apo shkëputjen e kontratës për shkak të shkeljeve të kryera nga OE “TCN International” Sh.P.K.
Kjo pasi që sipas aktakuzës, në mënyrë të kundërligjshme është bërë zgjatja e afatit të kontratës nga 523 ditë, në 1 mijë e 700 ditë dhe thuhet se edhe pas zgjatjes së këtij afati, kontrata nuk është përfunduar, por e njëjta është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ky operator më 19 shtator 2016, marrë për bazë se deri në këtë datë i ishin paguar 97% e mjeteve financiare nga vlera e përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.
Ndërsa, thuhet se për kryerjen e punëve të papërfunduar AShNA kishte lidhur kontratë me OE “Leonardo”, nga Italia, për aktivitetin me numër të prokurimit 254-18-7340-2-1-5 “Rilokimi dhe azhurnimi i APP/TWR” më 31 gusht 2018, në vlerë 386 mijë e 180 euro, me të cilat veprime thuhet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik në lartësi prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro.
Me këto veprime, Nuredini dhe Mehaj po akuzohen se në bashkëveprim dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422, paragrafi 2, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal.


