Pejë – Mbrojtja e Kreshnik Halitit, i akuzuar se kishte vrarë shokun e tij për një borxh 77 mijë euro, ka kërkuar ricilësimin e veprës penale si “vrasje e kryer në tronditje të fortë mendore”.
Këtë propozim mbrojtësi i Halitit, avokati Besnik Berisha e ka bërë të enjten në fjalën përfundimtare. në rigjykimin që po mbahet në Gjykatën Themelore në Pejë.
Berisha ka deklaruar se prokurorja me asnjë provë të vetme nuk e ka faktuar se parapërgatitjen e vrasjes së të ndjerit dhe as nuk e ka vërtetuar vërtetësinë e borxhit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Borxhi si motiv, jo vetëm që nuk ka ekzistu, por demantohet e shkatërrohet, e provohet me vet deklaratat në provat që prokuroria i ka dorëzu në cilësi të provës këtu”, tha avokati Berisha.
Avokati Berisha, në fund ai tha se duke parë dëshmitë e dëshmitarëve, provat materiale, nuk do të nxirret as me përqindje me të vogël elementi cilësues i veprës penale si vrasje e rëndë për dobi pasurore.
Ai ftoi gjykatën që ta rrëzoi këtë teori, e që Kreshnik Haliti të shpallet fajtor për veprën penale të vrasjes së kryer në tronditje të fortë mendore dhe të njëjtit t’i shqiptohet një dënim dukshëm dhe bindshëm me ultë se ai i cili i ishte shqiptuar në gjykimin e parë.
Gjykata Themelore në Pejë, më 4 korrik 2018, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 22 vite e gjashtë muaj burgim.
Mirëpo, Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi ishte i përfshirë në shkelje të procedurës penale dhe vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike.
Kreshnik Haliti akuzohet se më 6 mars 2017, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, për shkak të një borxhi prej 77 mijë eurosh e kishte vrarë M.Z.


