Mbrojtja e të akuzuarve Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë bërë një kërkesë të përbashkët në adresë të gjykatës.
Ata po kërkojnë që gjykatësi i procedurës paraprake ta urdhërojë Prokurorinë Speciale që t`i tregojë të gjitha dëshmitë që mund të jenë të orkestruara, ndihmuara apo hartuara nga Serbia.
Kërkesa e deponuar me shkrim është thënë nga ekipet mbrojtëse të Thacit e Veselit edhe në seancat e mëhershme dëgjimore, por ende nuk është konsideruar nga gjyqtari.
Kërkesa shpjegon se ligji i aplikueshëm në Kosovë e obligon prokurorinë që t`i jap mbrojtjes çdo informacion për dëshminë dhe dëshmitarët duke përfshirë edhe kontaktet e tyre, burimin e këtyre dëshmive dhe çdo provë tjetër që mund të vërtetojë bindjen e mbrojtjes së aktkuzat janë rezultat i propagandës serbe.
“SITF (Task Forca Hetuese) dhe pastaj SPO (Prokuroria e Speciale) kanë marrë një numër të madh provave nëpërmjet praktikave të bashkëpunimit me Serbinë. Mbrojtja planifikon që t`i hedhë poshtë këto prova. Prezantimi i këtyre dëshmive është i mangët. Prokuroria nuk do të bashkëpunojë me mbrojtjen për të treguar prejardhjen e provave dhe të plotësojë kërkesën e mbrojtjes”, thuhet në kërkesë.
Aty tregohet se si Serbia në vazhdimësi ka provuar që nëpërmjet fushatave të ndryshme të kriminalizojnë luftën e UÇK-së duke provuar që në këtë mënyrë të dobësojë shtetin e Kosovës.


