Lajme

Mbrojtja e Ivan Todosijeviqit kërkon që lënda të gjykohet në Mitrovicë dhe që të përjashtohet trupi gjykues

02/11/2022 10:47
nga:N M

Mbrojtja e ish-deputetit nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, i akuzuar për nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos-durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik ka dorëzuar kërkesë për ndërrim të vendit të kompetencës, ku ka kërkuar që rasti të gjykohet nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, si dhe ka dorëzuar kërkesë për përjashtim të trupit gjykues.

Këtë e ka bërë në seancën e së premtes, në rigjykimin që po zhvillohet ndaj Todosijeviqit, i cili ishte dënuar gjykimin e kaluar me dy vite burgim efektiv.

Fillimisht, avokati Nebojsha Vlajiq ka deklaruar se ai asnjëherë nuk ka besuar dhe as tani nuk beson që drejtësia varet nga ajo kush çfarë nacionaliteti është, të pandehurit apo gjyqtarët.

“Ju them që këtë nuk e besoj as tani dhe nuk e ndiej veten mirë derisa i shqiptoj këto fjalë. Unë nuk kam kërkuar përjashtimin e juaj në gjykimin e parë, nuk do të kërkoj as tani por ligji këtë e urdhëron do të them shkurt për çka, por do jua dorëzoj edhe me shkrim”, ka thënë Vlajiq.

Tutje, ai përmendi edhe marrëveshjen e Brukselit.

“Unë e kam cek se marrëveshja e Brukselit ka përcaktuar se për veprat penale të kryera në veriun e Kosovës nga palët serb i gjykojnë trupa gjykues të përbëra nga shumica serb. Sipas mendimit tim, kjo vepër penale duhet të gjykohet në përbërje të tillë. Gjithashtu, edhe në Gjykatën e Mitrovicës që është kompetencë vendore. Prokurori Special mund të veproj edhe pranë asaj gjykate”, tha ai.

Sipas tij, edhe Gjykata Supreme i ka dhënë të drejtë mbrojtjes.

“Edhe Gjykata Supreme në masë të madhe na ka dhënë të drejtë. Në aktgjykimin për mbrojtjen e ligjshmërisë në pasusin e fundit ka thënë “që dukshëm është se sipas marrëveshjes së Brukselit për këtë çështje është dashur të vendosin gjykatat ashtu siç i cek mbrojtësi”, tha ai.

Tutje, tha se trupi gjykues nuk është i themeluar sipas rregullave

“Marrëveshja e Brukselit thotë që shumica e gjyqtarëve duhet të jetë nga radhët e gjyqtarëve serb. Ekziston edhe rregullorja e gjykatës e vitit 2006, i cili thotë të njëjtën gjë. Nuk do të flas për këtë më, jua dorëzoj me shkrim”, ka thënë Vlajiq.

Ai tha se po dorëzon një kërkesë për ndërrimin e vendit të kompetencës në mënyrë që kjo gjykatë të shpallet jo kompetente dhe lënda t’i vazhdohet Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

“Ekziston edhe një arsye në bazë të cilës e kundërshtoj përbërjen e trupit gjykues. Gjykatës ia dorëzoj edhe kërkesën e përjashtimit të gjyqtarëve. Këtë arsye nuk e kam krijuar unë, por vet gjykata e shkallës së parë në aktgjykimin e shkallës së parë ku ka thënë që veprimet e të pandehurit janë fyese ndaj një popullit të tërë dhe se kjo është një etiketim i tërë popullit”, tha ai.

Sipas tij, në gjykim ka pohuar se deklarata e të akuzuarit nuk është fyese për askënd, por nëse gjykata pohon dhe përfundon konkluzionin dhe shkruan që deklarata është fyese për tërë një popullsi, kjo do të thotë që tërë populli dhe secili veç e veç individualisht është i dëmtuar me këtë vepër penale.

“Në bazë të nenit 39 paragrafi 1, Ligjit mbi Procedurën Penale, gjyqtari i cili është i dëmtuar me vepër penale nuk mundet me gjyku. Objektiviteti i tij dhe paanshmërie është pru në pyetje. Këtë e thotë ligji e jo unë. Për këtë këtu e kam propozuar, do ta shihni në fund të parashtresës që të përjashtohen të gjithë anëtarët e trupit gjykues të cilët janë shqiptarë, të përjashtohet kryetari i gjykatës sepse ai vendos për këtë kërkesë dhe kryetari i Gjykatës së Apelit”, ka thënë ai.

Tutje, tha se edhe njëherë i lutet gjyqtarit që këtë mos ta kuptoj si personale.

“Siç kam cek në fillim, unë në drejtësi besoj dhe besoj që drejtësia nuk varet nga nacionaliteti dhe ky është një hap dhe një kontribut që të vi deri te kjo. Mendoj që nuk ka nevojë por prapë po them kur gjyqtari të pranoj kërkesën për përjashtim deri te vendimi për këtë kërkesë nuk mundet në këtë lëndë të kryej funksione të vazhdoj me procedurë”, ka thënë ai.

Gjykatësi Musa Konxheli deklaroi se të gjitha këto që u thanë janë deklaruar dhe shkruar në ankesa dhe është vendosur për to edhe nga Gjykata e Apelit, edhe Gjykata Supreme.

“Kur jemi te Gjykata Supreme nuk është e vërtetë që ju ka dhënë të drejtë juve lidhur me kompetencën. Mundemi rresht për rresht me lexu edhe me përkthy, nuk ju ka dhënë të drejtë siç e cekët ju. Meqenëse, keni kërkuar edhe përjashtimin e trupit gjykues, ne edhe ashtu duhet të mos ndërmarrim veprime tjera derisa të vendoset për kërkesën tuaj”, ka thënë ai.

Tutje, tha se nuk ka këtu “Gjykata juaj” apo “Gjykata jonë” sepse bëhet fjalë për gjykata të këtij shteti dhe nuk ka gjykata shqiptare apo serbe.

“Asnjëherë nuk e marr personale, as unë as anëtarët e trupit gjykues”, tha ai duke iu referuar kërkesës për përjashtim të trupit gjykues, duke thënë se është e drejtë e mbrojtjes.

Sipas tij, Departamenti Special është themeluar të gjykoj të gjitha rastet e Prokurorisë Speciale.

Ndërkaq, i akuzuari Ivan Todosijeviq deklaroi se e përkrah mbrojtësin e tij.

Kurse, prokurori Atdhe Dema tha se një kundërshtim të tillë të avokatit mbrojtës e kundërshton fuqishëm për faktin se nën një avokati është thirr në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, e ku thotë që i ka dhënë të drejtë të madhe në drejtim të arsyetimit të kërkesës së tij se marrëveshja e Brukselit e sheh përbërjen e gjyqtarëve si trup gjykues që lidhet me gjykimin e rasteve të tilla.

“Unë nuk kam shumë çka të shtoj në këtë aspekt sepse pikërisht pasusi i fundit i aktgjykimit të Gjykatës Supreme në të cilën u thirr kolegu im avokat, në mënyrë të qartë e vlerëso se në këtë drejtim nuk i vlerëson si të bazuara pretendimet e mbrojtjes”, ka thënë Dema.

Prandaj, tha se kjo pikë për ta si prokurori nuk mund të merret si arsyetim që ky trup gjykues të përjashtohet.

“Nën dy për aq sa e kuptova po e parafrazoj përsëri avokatin “konstatoj se derisa i akuzuari e ka fyer një popull të tërë dhe marrë për bazë se ky trup gjykues si takon atij populli të tërë “është totalisht e pabazuar dhe prandaj dhe këtë e kundërshtoj se në bazë të këtij konstatimi dhe logjike, të gjitha veprat penale të një nacionaliteti, e konkretisht këto apo edhe krimet e luftës po deshka të gjykohen vetëm nga gjyqtarë që i përkasin nacionalitetit të të akuzuarit”, tha ai.

Më pas, Konxheli tha se gjykimi ndërprehet dhe kërkesat e mbrojtjes për përjashtim të kompetencës dhe trupit gjykues i drejtohen autoritetit të gjykatës dhe pasi të merret vendimi do të procedohet më tutje varësisht nga vendimi.

Ndryshe, Kolegji i Gjykatës Supreme, vitin e kaluar e kishte kthyer në rigjykim këtë rast, ku Todosijeviq ishte dënuar me dy vite burgim nga gjykata e shkallës së parë, vendim të cilin e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit.

Njoftimin për këtë e kishte bërë Gjykata Supreme përmes një komunikate për media, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit I.T., dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr.20/2019 i datës 05.12.2019, dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, APS.nr.7/2020 i datës 24.06.2021, dhe çështjen e ka kthyer në gjykatën e shkallës së parë, në rigjykim”, thuhej në komunikatë.

Ndryshe, Todosejviq ishte dënuar me dy vite burgim nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019, për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ky dënim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit në gusht të këtij vitit të kaluar.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit, thuhej se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se në dispozitivin e aktgjykimit janë përshkuar në tërësi veprimet inkriminuese të cilat formojnë elementet e veprës penale për të cilin ishte shpallur fajtor i akuzuari.

Apeli kishte vlerësuar se aktgjykimi i Themelores është i qartë dhe i kuptueshëm, e se në arsyetim janë dhënë arsye të qarta për faktet vendimtare dhe arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështje juridike, për të cilat arsye edhe kjo gjykatë i aprovon si të drejta dhe ligjore.

Ndryshe, Todosjeviq kishte qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij, me dashje, ka nxituar dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarja dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikës e Kosovës.

Sipas akuzës, me datë 24 mars 2019, në rrugën “Kralj Milutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda në Republikën e Kosovës.