Mbrojtja e Pjetër Shalës ka apeluar vendimin e trupit gjykues, i cili hodhi poshtë mocionin e mbrojtjes, me të cilin kjo e fundit kërkonte përjashtimin e deklaratave të dhëna më herët nga Shala.
Mbrojtjes i ishte dhënë leje për të apeluar vendimin në fjalë për çështjen e dytë dhe për çështjen e tretë dhe gjashtë që janë riformuluar. Kurse, pjesa tjetër e kërkesës është refuzuar.
Ndryshe, mbrojtja e Pjetër Shalës, në shtator të vitit 2022 ka kërkuar që të largohen deklaratat e Shalës të dhëna në cilësi të të dyshuarit, nga dosja e Prokurorisë që do t’i dorëzohej trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas mbrojtjes, Shalës nuk iu respektuan të drejtat e garantuara me ligj dhe të njëjtat nuk mund të konsiderohen si vullnetare. Shkresa në fjalë është bërë publike në janar të këtij viti.
Prokuroria kishte kundërshtuar mbrojtjen, me arsyetimin se Shalës iu respektuan të drejtat gjatë intervistimit si i dyshuar.
Trupi gjykues kishte refuzuar këtë kërkesë të tij, andaj edhe mbrojtja tanimë veçse e ka apeluar të njëjtin vendim.
Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.


