Lajme

Mbrojtësi i Viktimave në Speciale kërkoi që dëmshpërblimi ndaj viktimave të mos i besohet Kosovës

09/22/2026 18:14
nga:G B

Mbrojtësi i viktimave në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Simon Laws, i ka kërkuar rreth 10 muaj më parë Trupit Gjykues që çështja e dëmshpërblimit për viktimat e pretenduara në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit të mos u delegohet gjykatave të Kosovës.

Në një parashtresë zyrtare të dorëzuar pranë kësaj gjykate, të bërë më 17 nëntor të vitit 2025, dokument ky që u bë publik vetëm të hënën (21 shtator), e për të cilën çështje gazetarja e Klan Kosova, Rina Muku, pati raportuar qysh më 19 nëntor të vitit të kaluar, Laws kërkonte që urdhri për zhdëmtim (reparacion) të nxirrej drejtpërdrejt nga Dhomat e Specializuara në rast të ndonjë dënimi, dhe të mos zbatohet neni 22(9) i Ligjit që i udhëzon palët në konteste civile brenda sistemit vendor të drejtësisë.

Për ta arsyetuar këtë kërkesë, avokati i viktimave i është referuar raporteve të ekspertëve të përdorura edhe në rastet e mëparshme gjyqësore (si ato ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës), duke renditur mangësi të rënda brenda sistemit gjyqësor në Kosovë.

Sipas dokumentit, arsyet kryesore pse gjykatat vendore cilësohen si joreale për të trajtuar këtë proces janë:

(i) ekzistenca e mundshme e një niveli të caktuar korrupsioni dhe ndërhyrjeje brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe mungesa e strukturave efikase të llogaridhënies për gjyqësorin;

(ii) kohëzgjatja e procedurave civile;

(iii) problemet e mundshme lidhur me ekzekutimin e vendimeve të lëshuara nga gjykatat e Kosovës kundër pasurive të vendosura në territorin e një shteti që nuk ka marrëveshje për bashkëpunim gjyqësor ose marrëdhënie diplomatike me Kosovën;

(iv) fakti se fondet ekzistuese për ofrimin e ndihmës juridike mund të mos kenë burime të mjaftueshme për të siguruar ofrimin e vazhdueshëm të kësaj ndihme; dhe

(v) pasiguria lidhur me zbatimin e afateve të parashkrimit ligjor ndaj kërkesëpadive civile të parashtruara nga viktimat e krimeve të luftës.

Përveç këtyre pikave, parashtresa vë në dukje se në sistemin civil të Kosovës nuk garantohet anonimiteti dhe masat mbrojtëse për viktimat, gjë që sipas Laws do t’i dekurajonte dhe rrezikonte ato. Po ashtu theksohet se në rastin e krerëve të UÇK-së marrin pjesë 155 viktima, mes të cilave ka edhe persona të përkatësive joshqiptare, duke e bërë edhe më të vështirë adresimin e kërkesave të tyre në Kosovë.

Në përfundim të parashtresës, Mbrojtësi i Viktimave i kërkon Trupit Gjykues që të marrë vetë vendimin për dëmshpërblim dhe të mos i referojë viktimat pjesëmarrëse në konteste civile në Kosovë.

Gazetarja Rina Mujku, në deklarimin e saj nëntorin e vitit të kaluar, tha se në mesin e shtatë çështjeve kryesore të diskutuara ishte rikthyer edhe tema e urdhrit për dëmshpërblimin e 155 viktimave të pranuara në këtë proces.

Në mesin e shtatë çështjeve që janë diskutuar sot është edhe çështja e urdhrit për zhdëmtim të mbi 100 viktimave, janë 155 gjithsej sa janë pranuar deri tash, dhe akoma ka mbetur të vendoset nëse pas shpalljes së aktgjykimit dhe në rast se katërshja e UÇK-së shpallet fajtore, këto viktima të drejtohen në gjykatat e Kosovës për procedura civile për të kërkuar zhdëmtimin financiar apo do të lëshohet një urdhër për zhdëmtim, sikurse është bërë edhe në dy rastet e tjera paraprake për krime lufte të gjykuara në Gjykatën Speciale, për Salih Mustafën dhe për Pjetër Shalën. Në këtë rast mbrojtësi i viktimave ka kundërshtuar që viktimat t’i drejtohen gjykatave të Kosovës sepse e ka cilësuar sistemin e drejtësisë në Kosovë të korruptuar dhe në anën tjetër ka shprehur edhe problemin kryesor se atyre nuk mund t’u ruhet identiteti dhe të jenë anonime gjersa kërkojnë dëmshpërblim për krimet që kanë pësuar dhe lëndimet në anën tjetër gjatë luftës së fundit në Kosovë, gjatë periudhës që e mbulon aktakuza për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin”, kishte thënë Mujku në atë kohë.