Përfaqësues nga sektori kreativ i Ballkanit Perëndimor ishin në qendër të vëmendjes në një pritje të veçantë të organizuar nga Mbreti Charles në Londër.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, dhe ministrja e Jashtme Yvette Cooper, e cila theksoi se pritja ishte “një shenjë e qartë e vlerës që Mbretëria e Bashkuar i jep marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor dhe partnerëve të pranishëm këtu sot”, raporton “edp24”, transmeton Klankosova.tv.
Eventi u mbajt në prag të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor (Procesi i Berlinit), që zhvillohet në Londër, dhe kishte për qëllim të nënvizonte rolin e industrive kreative, rinisë dhe shoqërisë civile në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, diplomacisë kulturore dhe zhvillimit gjithëpërfshirës.
Duke iu drejtuar të pranishmëve – përfaqësuesve diplomatikë, artistëve, bizneseve dhe organizatave rinore – Cooper tha se “kjo ngjarje është edhe për historinë tonë të përbashkët”.
Procesi i Berlinit, i themeluar në vitin 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel, synon të forcojë bashkëpunimin rajonal, zhvillimin ekonomik dhe afrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Gjatë pritjes, Mbreti Charles dhe kryeministri Starmer zhvilluan biseda me liderë të rajonit, përfshirë kryeministrat Edi Rama të Shqipërisë, atë në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, sikurse edhe të shteteve tjera të rajonit.
Në ngjarje mori pjesë edhe ambasadorja britanike Dame Karen Pierce, e dërguar e posaçme e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.
Yvette Cooper theksoi rëndësinë e bashkëpunimit përtej çështjeve të sigurisë dhe pajtimit, duke shtuar:
“Fjala është për një të ardhme të përbashkët – me optimizëm, zhvillim ekonomik, mundësi për rini dhe bashkëpunim në fusha si kultura, tregtia dhe migracioni. Ky është thelbi i Procesit të Berlinit”.
Mbretëria e Bashkuar kishte qenë nikoqire e këtij procesi edhe në vitin 2018. Ndërkohë, të mërkurën, kryeministri Starmer do të presë udhëheqës dhe përfaqësues të lartë nga vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – si dhe nga shtete partnere të BE-së, përfshirë Austrinë, Francën, Gjermaninë, Italinë e Greqinë.
Këtë vit, Samiti zhvillohet në një moment simbolik, pasi përkon me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, 50-vjetorin e Aktit Final të Helsinkit dhe 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe themelimit të Kombeve të Bashkuara.


