Lajme

Mbretëria e Bashkuar njofton për sanksione kundër “ekstremistëve izraelitë” në Bregun Perëndimor

02/12/2024 15:31
nga:G B

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar sanksione të reja kundër katër “kolonëve ekstremistë izraelitë”, duke thënë se ata kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor kundër komuniteteve palestineze.

Deklarata e Zyrës së Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar tha se kolonët “sulmuan dhunshëm palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar”, duke përdorur agresion fizik, duke kërcënuar familjet me armë dhe duke shkatërruar prona në një “përpjekje të synuar dhe të llogaritur për të zhvendosur komunitetet palestineze”, shkruan CNN.

Katër personat e sanksionuar janë të gjithë meshkuj të moshës nga 21 deri në 31 vjeç. Ata janë emëruar si Moshe Sharvit, Yinon Levy, Zvi Bar Yosef dhe Ely Federman.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron tha se sanksionet “vendosin kufizime ndaj atyre që janë të përfshirë në disa nga abuzimet më të rënda të të drejtave të njeriut”.

Ai tha se kolonët po i detyrojnë popullin palestinez të largohet nga toka që është “me të drejtë e tyre”.

“Kjo sjellje është e paligjshme dhe e papranueshme,” tha Cameron. “Izraeli duhet gjithashtu të ndërmarrë veprime më të forta dhe t’i japë fund dhunës së kolonëve.”