Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mblidhet për të certifikuar edhe grupin e dytë të subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahe më 9 shkurt 2025.
Lajmi është konfirmuar për RTKLive nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se në rend dite është shqyrtimi i rekomandimeve për certifikimin e 17 subjekteve politike me gjithsej 674 kandidatë për deputetë.
“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vazhdojë me certfikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së (e hënë, 23 dhjetor 2024, ora 13:30) në rend dite është certifikimi i 17 subjekteve politike me më shumë se 670 kandidatë”, tha Elezi
Javë e kaluar, KQZ ka certifikuar 11 subjekte politike me gjithsej 606 kandidatë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Gjatë periudhës së aplikimit të subjekteve politike (1 shtator – 11 dhjetor 2024), 28 subjekte politike me gjithsej 1,280 kandidatë kanë dorëzuar kërkesën për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.