Shkruan: Blerim Latifi
Mbi 80 për qind e nxënësve në Kosovë nuk e kuptojnë atë që e lexojnë.
Kështu ka vlerësu raporti i fundit i PISA-s.
Pse ndodhë kjo?
Për një arsye të thjeshtë, por fundamentale: Mungon hallka e domosdoshme midis të lexuarit dhe të kuptuarit, e cila është të menduarit.
Që ta kuptosh një tekst me përmbajtje shkencore, duhet të mendosh mbi të. Pikërisht këtë gjë, pra zhvillimin e kompetencës së të menduarit nuk e ofrojnë shkollat tona. Ato qysh prej themelimit të tyre, këtu e shumë dekada më para, janë shërbyer me metodën më jomoderne të të mësuarit, metodën e të mësuarit mekanik, të mësuarit përmendësh, të mësuarit recital.
Kjo metodë kurrë nuk është problematizu seriozisht nga ata që janë marrë me reformat në fushën e edukimit. Shkollat moderne janë produkte të iluminizmit, pra institucione të konceptuara për t’u mundësuar nxënësve e studentëve zhvillimin e komptencës së të menduarit racional e logjik, e jo aftësinë për të mësuar përmendësh dogma e doktrina.
Për të mos e zgjatur: derisa nuk krijohet kjo hallkë midis të lexuarit dhe të kuptuarit, ne do të vazhdojmë të rangohemi poshtë e më poshtë në listat e PISA’s.
Ka vetëm një rrugë për të dituria: të menduarit.
Dhe po ashtu një rrugë për të injoranca: të mësuarit përmendësh.