Nga 130 mostra të testuara në komunat me shumicë serbe në Kosovë, 32 kanë rezultuar pozitiv me koronavirus dhe një person ka humbur jetën, ka njoftuar Shtabi i Krizës në Komunën e Mitrovicës së Veriut më 2 dhjetor.
Ky është publikimi i fundit i situatës epidemiologjike në 10 komuna me shumicë serbe që nga 27 nëntori.
Sipas të dhënave të këtij shtabi, numri i rasteve aktive me koronavirus në komunat me shumicë serbe, është 525.
Në anën tjetër, Instituti i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka njoftuar më 2 dhjetor se në 24 orët e fundit janë shënuar 16 raste të reja me koronavirus. Raste aktive me koronavirus janë 320.
Sistemi shëndetësor në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë është krejtësisht i ndarë nga sistemi shëndetësor qendror i Prishtinës zyrtare.
Autoritetet kosovare më herët kanë thënë se të dhënat nga komunat serbe nuk merren për arsye teknike.
Siç kanë thënë, në fillim të pandemisë, komunat me shumicë serbe i kanë dërguar Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës raportet me të dhënat mbi gjendjen me COVID-19, por ndërkohë kjo praktikë është ndërprerë.
Të infektuarit me koronavirus nga komunat me shumicë serbe kryesisht mjekohen në Graçanicë ose në Mitrovicën e Veriut. Rastet më të rënda dërgohen në qendrat e mjekësisë në qytete të Serbisë, kryesisht në Krushevc.