Lajme

Mbi 3 mijë paketime me produkte të skaduara konfiskohen nga Dogana e Kosovës

10/06/2024 14:30
nga:G C

Në terminalin doganor të Vërmicës, oficerët doganorë kanë zbuluar dhe parandaluar futjen e një sasie të konsiderueshme të mallrave me afat të skaduar gjatë një kontrolli të detajuar të një mauneje.

Subjekti importues kishte paraqitur një ngarkesë për zhdoganim, e cila u përzgjodh për kontroll të hollësishëm bazuar në analizën e riskut të kryer nga Dogana e Kosovës.

Dogana ka njoftuar se gjatë kontrollit, në prani të inspektorëve fito-sanitarë, u identifikuan disa produkte të skaduara, përfshirë produkte furrtarie, çamçakëzë, ëmbëlsira të gomuar, biskota dhe erëza.

Mallrat e skaduara ishin të fshehura brenda ngarkesës dhe u konfiskuan menjëherë, ndërsa subjektit importues iu ngrit kundërvajtje doganore sipas legjislacionit përkatës.

“Pas këtij zbulimi, subjektit importues iu ngrit kundërvajtje doganore sipas nenit 244, paragrafi 1, pika 1.2 të Kodit Doganor dhe Akcizave të Kosovës (KDAK), ndërsa mallrat (mbi 3000 paketime) iu nënshtruan konfiskimit” thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar për të mbrojtur qytetarët dhe tregun nga produktet e pasigurta, duke garantuar që çdo ngarkesë që hyn në vend të plotësojë standardet më të larta.