Thuajse 30% të familjeve shqiptare u është kërkuar ryshfet nga punonjësit të administratës publike gjatë 12 muajve të fundit.
Më shumë se një në katër familje (27,7%) kanë paguar ryshfet gjatë kësaj periudhe.
Në total, thuajse të gjithë atyre që u është kërkuar ryshfet, kanë paguar nën dorë (95,1%).
Rezultatet janë të një vrojtimi për Euronews Albania, realizuar nga MRB dhe Data Centrum, në shkallë vendi për periudhën 20-29 tetor 2021.
Studimi është përqendruar në përfshirjen e qytetarëve në pagesa informale për marrjen e shërbimeve publike, si në shëndetësi, arsim, shërbimet policore, drejtësi, hipotekave, etj.
Vrojtimi ka zbuluar se pavarësisht se qytetarët ndeshen shpesh me kërkesa për ryshfet nga punonjës publikë, thuajse askush nuk e denoncon në polici këtë formë korrupsioni.
Kjo konfirmohet edhe nga të dhënat e drejtësisë. Prokuroria e Përgjithshme ka raportuar se gjatë vitit 2020 ka marrë një numër të papërfillshëm denoncimesh për ryshfet nga qytetarët. Gjatë gjithë 2020-ës janë hetuar rreth 25 çështje për ryshfet nga të cilat vetëm tre kanë përfunduar me dënim nga gjykatat.