Ndonëse Qeveria në detyrë tha se ka pasur rritje të regjistrimit të bizneseve këtë vit dhe se kjo është një dëshmi e rritjes ekonomike, por njësoj nuk mendojnë ekpertët e ekonomisë sipas të cilëve trendi i rritjes së regjistrimeve nuk përputhet me qarkullimin, ndërsa shumë biznese po regjistrohen vetëm për t’i ikur kostos së lartë të energjisë dhe jo si rezultat i zgjerimit ekonomik.
Eksperti financiar Kushtrim Ajvazi tha se statistikat nominale të regjistrimit nuk japin një pasqyrë të saktë të vlerës së shtuar në ekonomi.
Ai theksoi se, përveç numrit të regjistruar, duhet të analizohet qarkullimi real i bizneseve, që tregon ndikimin e tyre ekonomik.
“Ajo çka na intereson neve sa është vlerë e shtuar në ekonomi ky numër i bizneseve. Nëse i marrim si numër nominal, rritja e numrit të bizneseve të regjistruara në ARBK po, ndoshta është një numër rreth 13 mijë ashtu siç po raportohet deri në fund të vitit që planifikohet të jenë. Mirëpo, nëse e shikojmë raportin vjetor të ASK-së, dalin që numri i bizneseve ka mos përputhje të numrit të bizneseve në ARBK, në ATK dhe vetë në raportin e ASK-së. Ky trend i regjistrimit të bizneseve këtë vit, nëse e analizojmë 9-mujorin e parë të këtij viti, janar-shtator 2025, janar-shtator 2024, diku rreth 15.3 miliard është qarkullimi i këtyre bizneseve të raportuara. Vitin e kaluar 14.3, që i bie rreth një të gjashtë përqind në rritje, kjo 6 për qind rritje të qarkullimit po flasim, numri i bizneseve po na u rritet, po qarkullimi si tërësi s’po na u rritet. Na u ka rrit vetëm 6 për qind”, tha ai.
Ai shtoi se, duke marrë parasysh inflacionin deri në shtator prej 5.1 për qind, rritja reale e qarkullimit është minimale.
Ai paralajmëroi se disa biznese kanë përdorur regjistrime të ndara për të shmangur barrierat në treg, duke krijuar iluzion të rritjes reale.
“Kur marrim për bazë edhe të dhëna të tjera, që inflacioni këtë vit deri në shtator ka qenë 5.1 për qind, rritja reale në qarkullim është as 1 për qind, edhe nuk kemi rritje reale të qarkullimit të bizneseve, kemi numër nominal të bizneseve të regjistruara dhe kjo po reflektohet për diçka tjetër ndoshta. Bizneset kanë parë që këtë vit janë dalë në mënyrë të jashtëligjshme, të detyruar, të dhunshme në tregun e energjisë elektrike. Pa kurrfarë kriteri bazik. Ka biznese ku qarkullimin dojnë me nda në dy, tri, katër biznese, normalisht si numra nominal këto regjistrohen tre biznese, por si qarkullim është i njëjti. Prandaj nuk ish dashtë të merret si bazë numri i regjistruar i bizneseve; për të marrë një statistikë reale ish dashtë të krahasohej sakt numri i bizneseve që deklarojnë vlerë financiare në ATK, krahasuar vitin e kaluar me këtë. Atëherë do të duhet të shifmi se sa është impakti real i këtyre bizneseve që janë regjistruar”, tha ai.
Safeti Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike, tha se cështja e numrit të bizneseve të regjistruara që po paraqitet nga ekzkutivi është manipulim gjatë fushatës zgjedhore mund të japë një pasqyrë të gabuar të gjendjes reale ekonomike.
“Do të thotë që jemi në fushatë zgjedhore dhe ne do të ballafaqohemi me deklarata të ndryshme nga përfaqësuesit institucional. Po manipulohet me numrin e bizneseve të regjistruara që nuk është aq relevant sepse substanca ekonomike është mbi të gjitha. Kosova ka nevojë për qëndrueshmëri të bizneseve; këtu flitet për biznese të cilat janë të regjistruara apo nuk flitet për ato të cilat janë të shuara, flitet për bizneset e regjistruara të cilat janë më së shumti në sektorin e tregtisë që vetëm e përshpejtojnë eksportimin e parasë së gatshme të qytetarëve të Kosovës dhe importimin e mallrave. Në vitin 2025 do të arrihet një rekord që do të jetë mbi 7 miliard euro, dhe fakti që sa më i madh është eksporti i parasë së gatshme apo sa më i madh është importi, ne importojmë edhe inflacion të heshtur, nuk duhet të na habit fakti që sot produktet esenciale për qytetarët janë më të shtrenjta se sa në vendet e BE-së dhe në të njëjtën kohë e kemi pothuajse një ngrirje të pagave, qoftë në sektorin privat dhe atë publik”, tha ai.
Ai përmendi tri dukuri që ndikojnë në numrin e bizneseve të regjistruara: krijimi i kompanive të reja nga bizneset ekzistuese për lehtësim, regjistrimi i kompanive për të shmangur vendimin e ZRRE-së mbi çmimet e energjisë dhe hyrja e bizneseve të reja në tregti dhe IT.
“Në numrin e bizneseve të regjistruara janë tri dukuri. E para, shumë biznese të fuqishme krijojnë apo regjistrojnë kompani të tjera për të lehtësuar të bërit biznes. Në rend të dytë, është një dukuri që i kemi më tepër se 1300 kompani në Kosovë të cilat janë të goditura nga vendimi i ZRRE-së për ngritje të çmimit dhe për t’i ikur atij rangimit që bizneset e mëdha të paguajnë trefishin apo katërfishin e çmimit të energjisë elektrike më shtrenjtë, i regjistrojnë bizneset e tjera që të ndahet në departamente apo në sektor të caktuar dhe t’i iket kësaj barre. Dhe e treta, kemi biznese të reja që hyjnë më tepër në tregti dhe IT dhe ato e bëjnë këtë dallim. Mirëpo si është e mundur të kemi rritje, qarkullim total mbi 15 miliard euro, që krahasuar me vitin 2024 është një përqindje minore, dhe të kemi 15 për qind rritje të numrit të bizneseve të regjistruara siç e potencojnë qeveria”, tha ai.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se përgjatë mandatit të tij qeverisës numri i bizneseve të regjistruara është ngritur këtë vit dhe se kjo është rritja më e lartë se në çdo vit tjetër para qeverisjes së VV-së.
“Përgjatë këtij mandati, numri i bizneseve të reja të regjistruara është ngritur vit pas viti dhe ka qenë më i lartë se në çdo vit tjetër para qeverisjes sonë. Shtim biznesesh në ekonomi që rritet”, shkruan Kurti.Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, shkroi ditë më parë se numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara tashmë ka kaluar shifrën prej 11 mijë.“Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara tashmë ka kaluar shifrën prej 11 mijë, deri në fund të muajit tetor, ende pa mbaruar viti. Sipas trendit aktual, deri në fund të vitit kjo shifër pritet të tejkalojë mbi 13 mijë biznese, që do të ishte rekord i të gjitha kohërave. Ky është tregues i shëndetit të mirë të ekonomisë, e cila po rritet vazhdimisht”, ka shkruar ai./EO/


