Lajme

“Mbetjet e Banjskës”- Çfarë dihet për armatimin e fundit të konfiskuar në veri?

05/27/2024 20:29
nga:G C

“Është depoja e pestë që ne e kemi gjetur brenda vitit”, tha ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, derisa prezantonte një arsenal armësh e municionesh të kapura në veri të vendit, më 14 maj.

Në aksionin policor që, siç u tha, u iniciua nga informacionet e inteligjencës, në Zveçanin e banuar me shumicë serbe, u kapën dhjetëra armë e eksplozivë dhe mijëra copë municion.

Autoritetet e Kosovës thanë se ky armatim i gjetur mund të jetë i lidhur me sulmin e shtatorit të vitit 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Në atë kohë, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë tre sulmues.

Çfarë dihet për armët e konfiskuara?

Policia e Kosovës e as MPB-ja nuk kanë ofruar detaje mbi armatimin e gjetur në aksionin e fundit apo origjinën e mundshme të tij.

Megjithatë, Njësia e Forenzikës Digjitale të Radios Evropa e Lirë, ka arritur të identifikojë llojet dhe prodhimin e disa prej armëve e municionit të gjetur, në bazë të detajeve nga fotografitë e publikuara.

Plumbat e prodhuar në Serbi e BeH

Municioni i kalibrit 7.62mm x 39mm, që u ekspozua në objektin e Drejtorisë Rajonale Policore-Mitrovicë Veri, u prodhua në vitin 1991 në fabrikën “Prvi Partizan” në qytetin e Uzhicës, në perëndim të Serbisë.

Këta plumba janë të mbushur me barutin e llojit SB-515 të prodhuar në fabrikën “Millan Bllagojeviq” në Luçan të Serbisë, në vitin 1990.

Ata janë ekspozuar me numrin 9 pas aksionit të Policisë.

Për më tepër, municioni i të njëjtit kalibër u prodhua edhe në fabrikën “Igman Zavod Konjiq” në Bosnje e Hercegovinë, në vitin 1988, i ngarkuar me barut NC-08 të prodhuar në fabrikën “Millan Bllagojeviq” në Luçan më 1987.

Këta plumba janë ekspozuar me numrin 10 në fotografinë e mëposhtme.

Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë informacione nga këto kompani në lidhje me armët e kapura, por të njëjtat nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të artikullit.

Armët e gjata

Municioni 7.62mm x 39mm i kapur në aksionin e fundit, përdoret veç tjerash për armën “Zastava M72B1” që po ashtu u kap në këtë aksion.

Sipas faqes specializuar WeaponSystem.net, kjo pushkë nisi të prodhohet në vitin 1973 dhe është armë e përdorur si mbështetje për ekipin gjuajtës.

Kompania e armëve “Zastava”, tani me lokacion në Kragujevc të Serbisë, ka traditë të prodhimit të armëve që nga viti 1853.

Prodhimet e tyre eksportohen dhe rishiten në dhjetëra vende të botës.

Kjo armë është ekspozuar me numrin 13 në fotografinë e mëposhtme.

Pushka M70 në disa variante

Prodhimi i kësaj pushke sulmi filloi në vitin 1959, po ashtu në fabrikën “Zastava” në ish-Jugosllavi. Ajo përfaqëson një version të licencuar të pushkës së quajtur Kallashnikov.

Nga viti 1970 u përdor gjerësisht nga ushtria jugosllave.

Deri në 4 milionë pushkë M70 besohet se janë prodhuar në versione të ndryshme.

Kjo pushkë është parë në fushëbeteja dhe konflikte në Afganistan, Angola, Qipro, Irak, Jordani, Kenia, Mali, Ruandë, Siri, territore palestineze…

Përdoret, po ashtu, në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi dhe Slloveni, ndërsa prodhohet ende në fabrikën e armëve “Zastava Oruzhje” në Serbi.

Kompania “Zastava” nuk i është përgjigjur kërkesës së REL-it për informacione në lidhje me këto armë.

Pushkët M70 janë të ekspozuara me numrat 2 dhe 4 në fotografinë e mëposhtme.

Përveç këtyre, në aksionin e Policisë u kapën edhe 62 shok-bomba, 1.5 kilogram eksploziv plastik dhe pajisje të tjera përcjellëse të armatimit.

E ekspozuar me numrin 17 shihet një pllakë mbrojtëse balistike me një shtresë anti-traumë, për t’u mbrojtur nga gjuajtjet.

Nga informacionet që shihen nga fotografia, ajo është e prodhuar nga fabrika “Mille Dragiq”, në Serbi, më 2003.

Pllaka mbrojtëse e konfiskuar në aksionin e 14 majit në Zveçan

Kjo kompani në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se vetëm nga fotografia nuk mund ta vërtetojnë se është produkt i prodhuar nga ata.

“Që të mund të japim mendimin tonë zyrtar dhe profesional duhet të kemi më shumë të dhëna dhe të bëjmë vlerësimin fizik të artikullit të përmendur nga fotografia”, thuhet në përgjigjen e kësaj kompanie.

Përveç konfiskimit të armëve, Policia e Kosovës ka njoftuar se në atë aksion kanë arrestuar edhe një ish-zyrtar policor të Kosovës pasi “dyshohet se është i lidhur me armët, të cilat janë gjetur në afërsi të shtëpisë së tij”.

Radio Evropa e Lirë kishte analizuar edhe sasinë e parë të armëve të konfiskuara pas sulmit në Banjskë.

Sipas hulumtimit, në shumicën e rasteve këto armë po ashtu ishin prodhuar në fabrikat serbe dhe ish-jugosllave të armëve.