Sporti

Mbajtja e Kupës së Botës çdo dy vjet, 20 klubet e Premier League dalin me qëndrim zyrtar

11/11/2021 19:04
nga:Mergim Rreci

20 klubet e Premierligës janë kundër mundësisë së mbajtjes së Kupës së Botës çdo dy vjet, një skenar që mbrohet nga FIFA dhe që ka pasur si protagonist, në mbrojtje të idesë, ish-trajnerin Arsène Wenger, përgjegjës për Departamentin e Zhvillimit Global të Futbollit.

Përmes një deklarate, klubet ishin unanime për këtë çështje dhe gjithashtu kundër afateve më të gjata të tregut, transmeton GazetaBlic Sport.

“Klubet shprehën shqetësime për ndikimet negative që propozimet aktuale të FIFA-s do të kishin në mirëqenien e lojtarëve, në përvojën e tifozëve, në parasezon dhe në cilësinë e garave”, thuhet në të.

CEO i Premier League Richard Masters shtoi: “Premier League është e përkushtuar të parandalojë çdo ndryshim rrënjësor në orarin e ndeshjeve ndërkombëtare të FIFA-s pas vitit 2024 që ndikon negativisht në mirëqenien e lojtarëve dhe kërcënon konkurrencën, orarin, strukturat dhe traditat e futbollit kombëtar. Jemi të hapur ndaj reformave dhe ideve të reja, por këto duhet të përforcojnë ekuilibrin plotësues mes futbollit kombëtar dhe atij ndërkombëtar për të përmirësuar lojën në të gjitha nivelet. Ne do të vazhdojmë të punojmë me mbështetësit, lojtarët dhe palët e interesuara kombëtare dhe ndërkombëtare për të gjetur zgjidhje që mbrojnë interesat e së ardhmes së futbollit në terma afatgjatë.”