Lajme

Mbahet takimi i grupit punues për caktimin e detyrave të policisë

04/30/2024 16:25
nga:G C

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha, mbajti takim zyrtar me stafin e lartë menaxhues dhe grupin punues për caktimin dhe koordinimin e detyrave, pjesë e të cilit takim ishte edhe prezantimi i ‘Raporti vjetor 2023’ dhe raporti i tremujorit të parë  (janar-mars 2024), i ‘Strategjisë së integruar të policimit të drejtuar nga inteligjenca dhe policimit në bashkësi 2021-2025’.

Policia e Kosovës përmes kësaj strategjie dhe planit të veprimit synon realizimin e objektivave strategjike që parasheh, fuqizimin e menaxhimit të policisë bazuar në inteligjencë, fuqizimin e partneritetit, avancimin e cilësisë së shërbimeve policore dhe bashkërendimin e aktiviteteve me dokumentet tjera strategjike, integrimin e qasjeve të policisë së drejtuar nga inteligjenca dhe policimit në bashkësi, mbështetja e strategjisë përmes teknologjisë së informacionit dhe avancimi i organizmit të brendshëm dhe mekanizmat e monitorimit të zbatimit të strategjisë.

Përmes implementimit dhe zbatimit të strategjisë, synohet rritja e bashkëpunimit dhe partneritetit të mëtejmë me komunitetin, qasja më proaktive ndaj komunitetit, parandalimi i aktiviteteve kriminale dhe rritja e mëtejme e transparencës dhe besueshmërisë.

Sipas raportit të prezantuar për periudhën e vitit 2023,  del se nga (73) aktivitete, (68) aktivitete janë realizuar sipas planit, ndërsa (4) aktivitet janë në vazhdimësi të realizmit dhe (1) aktivitet nuk është realizuar ende dhe pritet të realizohet brenda afateve kohore aq sa zgjat kjo strategji.

Drejtori Hoxha, falënderoi menaxhmentin dhe grupin punues për punën dhe angazhimet e deritanishme, njëkohësisht kërkoi angazhim dhe përkushtim të mëtejmë drejt realizimit të rekomandimeve të dala dhe aktiviteteve të mbetura, të mbetet ndër detyrat kyçe bashkëpunimi me qytetarë, bashkëpunimi me partnerë dhe organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtar në fushën e sigurisë, duke i dhënë prioritet reagimit proaktiv dhe parandalimit përmes aktiviteteve  të policimit në bashkësi.