Lajme

Mbahet seanca gjyqësore ndaj Sveçlës, Zybës e Pacollit, lidhur me hedhjen e gazit lotësjellës

10/31/2025 09:01
nga:Sh R

Sot mbahet seanca ndaj deputetëve Xhelal Sveçla, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend më 2018.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 shtator 2025 ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetëve të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, të cilët bashkë me ish-deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku, akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës.

Kjo urdhëresë është lëshuar pasi Sveçla, Zyba dhe Pacolli-Dalipi munguan në seancën e 16 shtatorit 2025. Për tre të akuzuarit, gjyqtari Sabit Sadikaj në atë seancë tha se janë ftuar sipas procesverbalit të seancës paraprake dhe nuk kishte kërkesë për shtyrje të seancës.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar se urdhëresa e lëshuar nga gjyqtari Sadikaj duhet të ekzekutohet nga Policia e Kosovës dhe të akuzuarit të sjellën në seancë më 31 tetor 2025.

Aktakuza ndaj Sveçlës, Pacollit, Zybës e Millakut është ngritur më 26.07.2019 nga prokurori Eset Rama.

Sipas Prokurorisë hedhja e gazit lotsjellës kishte pamundësuar vazhdimin e seancës së Kuvendit dhe të gjithë deputetët ishin detyruar ta lirojnë sallën. Me këto veprime ata akuzohen edhe për “pengim të personit zyrtar”, në këtë rast të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.