Qeveria e Kosovës, në formë elektronike, sot ka mbajtur mbledhjen e 48-të të saj, në të cilën janë miratuar tri vendime.
Me këtë rast vendimi për reduktimin e fondeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe rritjen e fondeve nga granti qeveritar në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, është vendimi i parë që ka marrë miratimin në këtë mbledhje.
Sipas vendimit mjetet në vlerë prej tetëmbëdhjetë milionë euro, reduktohen në zero për shkak të mospranimit të fondeve të planifikuara nga burimi i financimit. Këto mjete kalojnë në nën-programin “Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike”.
“Është miratuar edhe vendimi për ndarje dhe kursime buxhetore në kategoritë e shpenzimeve të organizatave buxhetore. Shuma totale e mjeteve të kursimeve buxhetore është 36.505.034,26 milionë euro (tridhjetë e gjashtë milionë e pesëqind e pesë mijë e tridhjetë e katër euro). Mjetet e kursyera do të shpërndahen te organizatat buxhetore sipas nevojave dhe kërkesave për mbulimin e shpenzimeve të ndryshme të propozuara”, thuhet në njoftimin për media.
Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve që të nënshkruajë Marrëveshjen e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe KfW për projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”. Marrëveshja siguron kredinë në vlerën prej 25.500.000,00 euro (njëzet e pesë milionë e pesëqind mijë euro).