Lajme

Mazllum Baraliu: Draft-Statuti që na u prezantua në Bruksel, ka përmbajtje të dëmshme dhe të papranueshme për Kosovën!

11/10/2023 08:45
nga:Y I

Ish-kryetari i KQZ-së, njëherësh njohës i çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me Draft-Statutin e prezantuar në takimin e fundit në Bruksel.

Baraliu tha se nga ajo që po shihet deri tani është se ky dokument ka përmbajtje të dëmshme dhe të papranueshme për Kosovën sepse parasheh autonomi substanciale dhe vetqeverisje.

Ai tutje shtoi se nuk “po na pret diçka e mirë me këtë Projekt-Statut”.

“Në bazë të objektivave që u shpallën pas takimit të fundit në Bruksel, ato objektiva ishin ‘fund e krye’ të qarta dhe të dëmshme për Kosovën. Në bazë të atyre objektivave ky dokument i ri i cili ende nuk është bërë publik, dhe është fatkeqësi që nuk bëhet publik, madje me insistimin e Bashkimit Evropian i cili transparencën do të duhej ta kishte njërin prej parimeve kryesore të tij si organizatë politike dhe ekonomike. Ky dokument ka përmbajtje të dëmshme për Kosovën dhe të papranueshme sepse parasheh autonomi substanciale, vetqeverisje, respektimin e marrëveshjeve të gjitha të mëparshme dhe trajtim dhe pozitë të dyfishtë që është një term që unë nuk e kam dëgjuar shpesh por që ka domethënie të pazakontë dhe të papranueshme”

“Nuk jam i bindur se ne po na pret diçka e mirë me këtë Projekt-Statut dhe nuk do të duhej diçka që e cënon sovranitetin dhe integritetin territorial.Vuçiq herën e fundit tha në Bruksel edhe këtë ‘sihariç’ negativ për ne se nuk do ta njohë jo vetëm Pavarësinë e Kosovës por as integritetin territorial të këtij shteti” deklaroi Baraliu për “Gazeta Blic”

Deklarata e plotë e Mazllum Baraliut dhënë për “Gazeta Blic”