Sporti

Mateo Kovacic do të zyrtarizohet së shpejti tek Manchester City

06/16/2023 15:41
nga:Mergim Rreci

Manchester City është pranë zyrtarizimit të një përforcimi në mesfushë. Kampionët e Anglisë dhe Europës, kanë piketuar Mateo Kovacic si afrimin e duhur. Dhe janë afër arritjes së akordit me Chelsea.

29-vjeçari është pjesë e “Bluve të Londrës” prej verës së vitit 2018, ndërkohë që ka luajtur edhe me Real Madrid, Inter dhe Dinamo Zagreb.

ESPN raporton se drejtuesit e Citizens kanë gjetur gjuhën e përbashkët me agjentët e lojtarit kroat (94 ndeshje dhe 5 gola me Kombëtaren).

Pep Guardiola e pëlqen prej kohësh Kovacic, karakteristikat e të cilit i cilëson ideale për skemat e tij. Por edhe për zëvendësimin e kapitenit Gundogan. I cili është me valixhe gati.

Dy klubet angleze po negociojnë prej ditësh për detajet e fundit, teksa në parim është arritur marrëveshja mbi bazën e 40 milionë eurove.

Gjatë aventurës në “Stamford Bridge”, lojtari i lindur në Austri fitoi Champions League, Europa League, Superkupën Europiane dhe Botërorin për Klube.