Lajme

Mashtrimi i Kurtit nga dy komedianët rusë/ Haliti: Duhet të japë përgjegjësi për deklaratat për SHBA-të

3 ditë më parë
nga:G B

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK, Xhavit Haliti, ka komentuar rënien pre të kryeministrit Kurti nga dy komedianë rusë, ku në atë bisedë ai ka kritikuar opozitën, mediat, bizneset e SHBA-të.

Haliti në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se është shqetësuese mundësia e marrjes aq lehtë në telefon e kryeministrit.

“Nuk është hera e parë që politikanët shqiptarë kanë rënë pre e shërbimeve ruse. Ajo që duhet të na shqetësojë shumë është mundësia aq e lehtë e marrjes në telefon Kryeministrin e vendit. Ne kemi ambasadat tona që mbulojnë raportet me vendet përkatëse. Unë besoj që edhe Presidenti i SHBA-ve po të dëshirojë të bisedojë me telefon, me Kryeministrin e Kosovës, kontaktin dhe kohen e dëshiruar do e bënte përmes Ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, dhe bisedat zhvillohen në linja të sigurta. Por, sot inteligjenca artificiale ka mundësi të zhvillojë biseda të tilla vetëm duke e përdorur zërin e dy e më shumë personave për qëllime diversioniste”, ka thënë Haliti.

Sa i përket deklaratave të Kurtit, Haliti thotë se të flasë keq për opozitën është betejë e tij, por të flasë keq për SHBA-të është përgjegjësi e madhe.

“Për opozitën ka folur keq çdoherë dhe ajo është betejë e tij, por të flasësh keq për Administratën e SHBA-ve është përgjegjësi e madhe dhe nëse kjo vërtetohet, duhet të ketë përgjegjësi”, ka deklaruar Xhavit Haliti./Gazeta Blic/