Lajme

MAShTI: Rënia e numrit të maturantëve është edhe për shkak të rënies së numrit të nxënësve në përgjithësi

07/03/2024 19:40
nga:Sh R

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka dalë me një sqarim lidhur me rënien e numrit të maturantëve në Kosovë ndër vite, periudhën që nga 2014 deri në vitin 2024.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se sa i përket krahasimit ndërmjet numrit të nxënësve që kanë hyrë në test në vitin 2014, MAShTI njofton se, përveç maturantëve të klasave të 12-ta, Testit të Maturës në vitin 2014, i janë nënshtruar edhe maturantët e klasave të 13-ta, pasi viti shkollor 2013/2014 ka qenë viti i fundit që në sistemin arsimor të Kosovës ka ekzistuar edhe klasa e 13-të.

“MAShTI po ashtu rikujton se, deri më 2016 nxënësit nuk kanë marrë diplomën pa e kaluar Provimin e Maturës, andaj edhe interesimi i nxënësve që nuk arrinin të kalonin testin ka qenë dukshëm me i madh për të hyrë në vitin vijues, duke bërë që numri i maturantëve të cilët i janë nënshtruar testit të jetë më i madh”.

“Pas ndryshimit të Ligjit për Provimin e Maturës Shtetërore në vitin 2016, sipas të cilit nxënësit pas mbarimit të shkollimit të mesëm të lartë pajisen me diplomë, kurse me kalimin e Provimit të Maturës marrin certifikatën e maturës, interesimi i disa nxënësve, sidomos atyre të arsimit profesional për t’iu nënshtruar testimit ka rënë”.

“Këtë vit shkollor numri i nxënësve të cilët kanë përfunduar shkollimin e mesëm të lartë është më i lartë sesa numri i nxënësve të cilët kanë hyrë në provim, ndërsa diferenca brenda periudhës dhjetëvjeçare është edhe për shkak të rënies së numrit të nxënësve në përgjithësi”, thuhet në sqarim.