Lajme

MASHTI: Mbi 23 mijë maturantë i janë nënshtruar sot Provimit të Maturës Shtetërore

06/26/2021 15:14
nga:Y I

MASHTI  ka bërë me dije se sot mbi 23 mijë maturantë të klasave të 12-ta i janë nështruar Provimit të Maturës Shtetërore, shkruan Gazeta Blic.

Në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi 2 mijë administrues, 550 komisionerë, 360 mbikqyrës dhe 200 vëzhgues

MASHTI bën me dije se priten ndëshkime për të gjitha ata që kanë shkelur rregullat si dhe çdo nxënës që është zënë me tel i anulohet provimi i maturës.

Njoftimi i plotë:

Mbi 23 mijë maturantë të klasave të 12-ta i janë nënshtruar sot Provimit të Maturës Shtetërore të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI). Ky provim u mbajt në 177 qendra të testimit në gjithë vendin.

Në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi 2 mijë administrues, 550 komisionerë, 360 mbikqyrës dhe 200 vëzhgues. Të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC).

Mbajtja e provimit ka filluar në orën 10:00 ashtu siç ka qenë e paraparë. Sipas informatave të para të Komisioneve, çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës ndërkaq, në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa të rrepta si ndaj administrueseve, ashtu edhe ndaj nxënësve.

Anëtarët e Komisioneve në qendrat e testimit, administruesit, mbikëqyrësit dhe vëzhguesit e Provimit të Maturës që kanë shkelur rregullat e administrimit të testit do të ndëshkohen për kundërvajtje në shumë prej 300 deri në 500 euro. Ndërkaq, po të njejtit të cilët kanë zbuluar sekretet e testit do të ndëshkohen me gjobë në të holla prej 1000 deri në 3000 euro, si dhe me masa disiplinore dhe penale të parapara në Kodin Penal të Kosovës.

Secilit nxënës që i është zënë telefoni është larguar nga procesi i testimit dhe i është anuluar provimi i maturës shtetërore.

MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në këtë proces për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më 5 korrik.

​370 maturantë testohen në “Sami Frashëri”, dy prej tyre largohen për kopjim