Lajme

MASHTI do t’i ndajë nga 80 euro për blerjen e teksteve shkollore, aplikimi nga nesër

08/24/2023 20:02
nga:Genita C

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se nga nesër prindërit mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore.

Ajo ka bërë të ditur se mjetet do të dalin në xhirollogari që nga fillimi i javës së ardhshme.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Nagavci ka thënë se do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në të pjestën për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore.

“Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore”, ka njoftuar ministrja.

Ajoka shtuar se platforma e aplikimit bashkë me instruksionet do të publikohet nesër, ndërsa çmimet e teksteve do të publikohen nga shtëpitë botuese ku lista e teksteve të përzgjedhura nga aktivet profesionale tashmë është e gatshme andaj, “ftojmë të gjithë prindërit të konsultohen me mësimdhënësit se cilat tekste duhet t’i blejnë”.