Masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ende nuk janë hequr.
BE ka kërkuar që Kosova ta bëjë deeskalimin e plotë në veri të vendit.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se deeskalimi në veri ka ndodhur.
Se si duhet vepruar dhe pse BE ende nuk ka hequr masat ndaj Kosovës, ish deputeti i LDK-së, Naser Rugova, thotë për Gazeta Blic se janë bërë hapa të rëndësishëm për deeskalim por BE dhe SHBA kërkojnë plotësimin e tri kërkesave të tyre.
“Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt deeskalimit të situatës në veri të vendit. BE-ja dhe SHBA kanë kërkuar plotësimin e plotë të tre kërkesave të tyre.
Ai thotë se Kurti duhet ta largojë nga komuna kryetarin e Leposaviqit dhe duhet të organizohen zgjedhjet e reja në katër komunat.
“Kurti duhet ta largojë edhe kryetarin e Leposaviqit nga ndërtesa komunale që vërtetë është absurd qëndrimi i tij aty, kjo është edhe njëra nga kërkesat e BE-së dhe SHBA-ve. Po ashtu, ndërmjetësuesit presin edhe hapa konkret në organizimin e zgjedhjeve të reja në 4 komunat veriore, proces ky që po ashtu është në mesin e rrugës për t’u realizuar”, vlerëson ish deputeti për Gazeta Blic.
Sa i përket masave të BE-së, Rugova thotë se ato nuk hiqen lehtë dhe kur dëshiron Kurti, pa u plotësuar të gjitha kushtet.
“Masat e vendosura janë marrë me konsensus brenda BE-së, ato nuk hiqen lehtë dhe kur të dëshiron Kurti, duhet të plotësohen tre kërkesat në plotëni e pastaj të ndërtohet konsensusi nga të gjitha vendet anëtare që këto masa të hiqen”, shton ai.
Sipas ish deputetit të LDK-së, “Qeveria e futi vendin në këtë labirint politik pa nevojë dhe çmimin po e paguan populli”.
Ndërsa, analisti dhe profesori Muhamet Kelmendi, thotë për Gazeta Blic se sa i përket situatës në veri, Kosova mendon se është bërë përmirësim i saj, ndërsa BE e kundërshton.
“Çështja e deeskalimit të situatës në veri ka marrë përkufizime të ndryshme, varësisht nga pozita që është. Kosova mendon se në veri të Kosovës është bërë përmirësimi i gjendjes. Kundër u paraqitën burokratët në Bruksel të UE-së. De-fakto ka qenë gjendje e ndërtimit të shtetit ligjor”, potencon ai.
Sipas Kelmendit, e kundërta e qëndrimeve mes Kosovës e BE-së për veriun qëndron te caktimi i datës së zgjedhjeve.
“Mirëpo, Brukseli vlerëson se kërkohet të caktohet data e zgjedhjeve. Këtu është e kundërta e qëndrimeve midis Kosovës dhe Brukselit”, deklaron Muhamet Kelmendi./Gazeta Blic/


