Pranvera-vera dhe vjeshta e këtij viti u shoqëruan me tensione të vazhdueshme në pjesën veriore të vendit.
Si rezultat i këtyre tensione, Bashkimi Evropian, mori vendim që të ndërmarrë një sërë masash ndaj Kosovës.
Por megjithëse Kosova ndërmori disa hapa në deeskalimin e situatës në katër komunat veriore, ato vazhdojnë të jenë ende në fuqi.
Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic”, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.
Lekaj tha se këto sanksione erdhën si reagim i një procesi të politikave dhe qëndrimeve të Kurtit kundër ndërkombëtarëve dhe evropianëve.
“Sanksionet ekonomike tani e sa kohë kanë mbetur pikë e dobët e funksionimit normal të sistemit politik dhe ekonomik të shtetit të Kosovës.Këto sanksione erdhën si reagim i një procesi të politikave dhe qëndrimeve të z.Kurti kundër ndërkombëtarëve dhe evropianëve.
Politika e qëndrime të rrezikshme të Qeverisë, të cilat i kemi kritikuar në vazhdimësi ne si AAK, por që kemi hasur në veshë të shurdhër”
Lekaj tha se BE-së i duhet kohë dhe dëshmi që Kosova e ka përmirësu kursin politik në raport me ndërkombëtarët dhe se do të jetë bashkëpunuese në veprimet që ndërlidhen me të ardhmen në Ballkanin Perëndimor dhe se vetëm atëherë do të largohen sanksionet ekonomike.
“Tani vendi ynë gjindet në një momentum me mbi 500 milion euro sanksione nga BE, dhe nuk dihet ende kur do të largohen, e meqë për të cilat përgjegjësinë e ka Kryeministri i vendit, ai edhe duhet ta dijë kur do të largohen ato”
“Gjithsesi, ne mendojmë që BE-së i duhet kohë dhe dëshmi që Kosova e ka përmisuar kursin politik në raport me ndërkombëtarët, dhe se Kosova do të jetë bashkëpunuese në veprimet dhe vendimet që ndërlidhen me të ardhmen e Ballkanit Perëndimorë dhe Evropës. Dhe vetëm atëherë normalisht ata do ti largojnë sanksionet ekonomike” deklaroi deputeti i AAK-së për “Gazeta Blic”.
Në vizitën që pati në Kosovë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i’u kërkuan heqja e masave nga presidentja, Vjosa Osmani.
Osmani tha se institucionet e Kosovës kanë treguar angazhim konkret për deeskalim të situatës dhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatë dhe partnerë.
“Në takim potencova edhe rëndësinë dhe nevojën e largimit të masave të vendosura ndaj Kosovës. Institucionet tona përgjatë muajve të kaluar kanë treguar jo vetëm angazhim konkret për deeskalim të situatës, por edhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët tanë. Njëkohësisht, institucionet tona kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për të garantuar zgjedhje të reja e të lira por për fat të keq, adresa e këtyre pengesave vazhdon të mbetet në Beograd”
“Krahas sfidave kolektive globale, theksova se sfidat komplekse që po kalon Republika e Kosovës janë si rezuxltat i përpjekjeve destabilizuese të Serbisë. Vetëm në javët e fundit kemi qenë dëshmitarë të këtyre ambicieve të destabilizuese që rezultuan me aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator që u krye nga grupe terroriste, paramilitare të Serbisë. Siç i shpreha von der Leyen, ne duhet të jemi të bashkuar për të refuzuar dhunën si mjet për arritje të qëllimeve keqdashëse të cilat minojnë edhe vetë vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE. Kosova është e përkushtuar për të respektuar Kushtetutën e saj e cila ofron të drejtat më të avancuara për komunitetet joshumicë jo vetëm në rajon por në të gjithë kontinentin tonë” deklaroi Osmani raporton “Gazeta Blic”.


