Lajme

Masat e reja anti Covid, plotësohen kërkesat e AKK-së

09/23/2021 15:20
nga:Y I

Asociacioni i Komunave të Kosovës sot ka mbajtur një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ku edhe është diskutuar për masat e reja që pritet të hyjnë në fuqi që nga 27 shtatori.

Ministri Vitia në këtë takim i informoi kryetarët e komunave me situatën e tanishme me pandeminë dhe sidomos aktivitetet ndër-institucionale kundër kësaj pandemie.

Ndërsa, po ashtu janë bërë të ditura të gjitha masat që pritet të hyjnë në fuqi nga 27 shtatori.

Komunikata e plotë:

KËRKESAT E AKK-së PLOTËSOHEN

MINISTRIA E SHËNDETËSISË DISKUTON MASAT E REJA ME KRYETARËT E KOMUNAVE

Kryetarët e Komunave kanë mbajtur një takim virtual me Ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë z.Arben Vitia për të diskutuar situatën lidhur me pandeminë Covid–19 me theks të veçantë për masat e reja kundër kësaj pandemie pas datës 27 shtator 2021.

Ministri Vitia në këtë takim informoi Kryetarët e Komunave me situatën e tanishme me pandeminë dhe sidomos aktivitetet ndër-institucionale kundër kësaj pandemie. Ai tha se në këtë kohë kemi pasur shumë takime për të vlerësuar situatën aktuale me pandemi.

Poashtu ai falenderoi Kryetarët e Komunave për punën e bërë në fushën e vetëdijësimit të qytetarëve për vaksinim dhe parandalim të përhapjes së virusit.

Ministri Vitia informoi Kryetarët e Komunave me propozim masat e reja që pritet të hyjnë në fuqi pas datës 27 shtator 2021:

– Mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të fillojë me datën 27 shtator ku në klasa nuk do të lejohen më shumë se 20 nxënës. Në klasat me më shumë se 20 nxënës, mësimi mbahet në dy grupe.
– Institucionet parashkollore do të punojnë me kapacitete të plota,
– Kufizimi i lëvizjes vazhdon të mbetet i njejtë, nga ora 22:00 – 05:00h.
– Gastronomia do të vazhdojë me të njëjtin orar. Lejohet puna brenda lokaleve për personat që ofrojnë dëshmi të vaksinimit ose teste përkatëse. Kjo nuk vlen për ambientet e jashtme të gastronomisë.

– Personeli i Sektorit Publik dhe Privat, të cilët kanë punë me palë, duhet të janë të vaksinuar ose të ofrojnë dëshmi për testet relevante.
Në këtë takim, nga Kryetarët e Komunave dhe përfaqësuesitë tjerë komunalë të pranishëm në këtë takim online me Ministrin e Shëndetësisë u paraqiten edhe sfidat dhe nevojat aktuale që janë në komunat e Kosovës me theks të veçantë lidhur me fillimin e procesit mësimor.

Në të njejtën kohë nga të gjithë u kërkua që të kenë vigjilencë në respektimin e këtyre masave për parandalim të përhapjes së virusit.