Lajme

Masat e fundit pa efekt, sërish shifra të larta të infektuarish e viktimash, Krasniqi: Zgjidhja e vetme vaksinimi

08/24/2021 20:09
nga:M K

Katër ditë më parë, në vendin tonë hynë në fuqi masat e reja anti-Covid.

Këto janë të gjitha masat anti Covid që kanë hyrë në fuqi sot

Ato erdhën si pasojë e rritjes enorme të rasteve të reja, ku pika më e lartë u arritë të nesërmen e vendimit për masat e reja, pra të shtunën e 21 Gushtit, ku edhe u konfirmua rekordi i zi, me 2279 raste të reja e 8 viktima.

Posted by Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës on Saturday, August 21, 2021

Të dielën ndërkaq, u regjistruan 1682 sosh, por numri i viktimave kishte kaluar në 11.

Posted by Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës on Sunday, August 22, 2021

Në anën tjetër, dje, numri i rasteve shënoi rënie, e ai i vdekjeve, rritje.

Posted by Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës on Monday, August 23, 2021

ShSKUK përmes raportit të sotëm tregoi se gjendja është e rëndë. 902 persona momentalisht janë të shtrirë në spitalet e përgjithshme dhe në ata të destinuar për pacientët me koronavirus, derisa 37 prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Lidhur me këtë situatë, GazetaBlic ka kontaktuar me drejtorin e përgjithshëm të ShSKUK-së, Valbon Krasniqin, i cili tha se mënyra e vetme për ta tejkaluar këtë gjendje është vaksinimi, për të cilën gjë kanë bërë thirrje tash e një kohë të gjatë.

“Po e vetmja formë është vaksinimi, për të cilën kemi bërë vazhdimisht thirrje. Kjo është thirrja kryesore për qytetarët. Vaksinimi dhe respektimi i masave”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, sa i përket efektit masave të reja, ai ka thënë se IKSHPK i rekomandon Ministrisë së Shëndetësisë masat që duhet ndërmarrë, varësisht nga situata epidemiologjike.

“Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik analizon dhe përcjellë situatën epidemiologjike, mbi bazën e së cilës propozon masat”, ka thënë ndër të tjera Valbon Krasniqi për GazetaBlic.

Kujtojmë se këto masa janë të vlefshme deri më 1 Shtator, ndërsa sipas informatave jozyrtare pritet të ketë masa të reja më strikte, duke parë faktin se këto aktualet nuk është se po tregojnë rezultat.

/GazetaBlic/