Lajme

Masat e BE-së ndaj Kosovës, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare: Qasja e njëanshme nuk i shërben shtensionimit të situatës

06/15/2023 13:51
nga:G B

Për shkak të situatës në veri, Bashkimi Evropian ka marrë masa me efekt të menjëhershëm, politike dhe financiare.

“Bashkimi Evropian në linjë me 27 vende anëtare ka përgatitur propozime për masa me efekt të menjëhershëm. Këto nuk janë sanksione, këto janë masa që merren me efekt të menjëhershëm. Ne presim ende nga kryeministri Kurti që nevojiten për deeskalim të menjëhershëm. Këto masa kanë të bëjnë me pasoja financiare e politike. Suspendim i vizitave të nivelit të lartë, dhe bashkëpunimit tonë financiar me Kosovën. Këto janë të përkohshëm dhe të kthyeshme” – ka thënë zëdhënësi i BE-së, Petar Stano, në një konferencë për media.

Lidhur me këto masa ndaj Kosovës, ndikimin e tyre në shtetin tonë dhe të ardhmen e tij euroatlantike, për Gazeta Blic kanë folur njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Shqiprim Pula, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, thotë se masat nuk janë risi, pasi ka pasur edhe në të kaluarën.

“Paralajmërimet e zyrtarëve të Unionit Europian (UE-së) kundrejt Kosovës për “masa” nuk janë risi për ne, edhe në të kaluarën kemi pasur të tilla deklarime e paralajmërime. Por, ajo çfarë është me rëndësi të dinë qytetarët e Republikës është se duhet të dakordohen krerët e shteteve anëtare, pra Këshilli Evropian, për të vendosur për “masa” të tilla kundër Kosovës. E në anën tjetër kërkesat e qeverisë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi po i kushtojnë vëmendje nga mediat e huaja, gjë që s’ka ndodhur kaq me ngulm në të kaluarën”, shprehet Pula për Gazeta Blic.

Sipas tij, kushdo që del kundër veprimeve institucionale që janë kushtetuese e ligjore, është mosnjohës dhe mosrespektues i vlerave të demokracisë.

“Kështu që, ndërmarrja e veprimeve institucionale të cilat janë kushtetuese e ligjore dhe parimi i reciprocitetit për respektim të të drejtave si veprime analoge, janë imperativ i kohës. Kushdo që del kundër apo shfaq kundërshti të tilla, del të jetë mosnjohës dhe mosrespektues i vlerave të demokracisë dhe parimeve universale të njohura nga e drejta ndërkombëtare”, vlerëson ai.

Ai thekson se përpjekjet e qeverisë për shtrirje të autoritetit shtetëror e institucional në veri nuk gjetën mbështetjen që u prit.

“Në rendin botëror të cilin po e jetojmë, padyshim se shtetet kanë ndërvarshmëri politike, ekonomike e ushtarake dhe domosdoshmëri bashkëpunimi politik e institucional, por, përpjekjet e qeverisë për shtrirjen e autoritetit shtetëror e institucional në veriun e vendit çuditërisht nuk gjetën mbështetjen e pritur që do duhej t’i vinte shtetit të Kosovës për ta rrumbullakosur mozaikun territorial ashtu siç parashihet edhe me neni 2 të kushtetutës sonë”, deklaron Shqiprim Pula për Gazeta Blic.

Ndërsa, njohësi tjetër i marrëdhënieve ndërkombëtare, Sami Blakaj, thotë se trysnia e padrejtë e BE-së ndaj Kosovës e ka trimëruar Serbinë dhe se është shqetësuese tendenca që Kosova të shpallet përgjegjëse për çdo të keqe që ndodh në veri, ndërkohë që e keqja vjen nga Serbia e Rusia.

“Trysnia e padrejtë e BE-së ndaj Kosovës siç duket e ka trimëruar Serbinë dhe i ka bërë huliganët serb edhe më të dhunshëm në veri të vendit. Është e papranueshme dhe jashtëzakonisht shqetësuese tendenca e përfaqësuesve evropian për ta bërë Kosovën përgjegjëse për çdo të keqe që sot po i ndodh veriut, ndërkohë që e keqja e madhe dhe kërcënimi i paqes dhe sigurisë së gjithë rajonit vjen direkt nga Serbia dhe aleati i saj kryesor, Rusia”, thekson ai për Gazeta Blic.

Ai përmend dhe rrëmbimin e tre policëve dje në veri, që thotë se është shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe do të duhej të kishte reagim ndërkombëtar.

“Në vazhdën e kësaj politike famëkeqe ishte edhe rrëmbimi i djeshëm i tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës në territorin e Kosovës nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë. Kjo padyshim se është një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe se për këtë do duhej të kishte sot një reagim të ashpër nga faktori ndërkombëtar, por qe fatkeqësisht nuk kishte. Madje në vend që BE të dalë zyrtarisht dhe të dënojë ashpër veprimet kërcënuese dhe destabilizuese të Serbisë, ajo doli me komunikatë për masat kufizuese që do t’i marrë ndaj shtetit të Kosovës, duke i bërë përgjegjëse kryesore institucionet kosovare për destabilizim dhe eskalim”, vlerëson Blakaj.

Sipas tij, kjo qasje e njëanshme dhe e pakuptimtë e Brukselit nuk i shërben shtensionimit të situatës, teksa shton se ulja e tensioneve do t’i shërbejë një qasje më objektive e BE-së

“Kjo qasje e njëanshme dhe e pakuptimtë e Brukselit zyrtar nuk i shërben aspak shtensionimit të situatës Kosovë-Serbi, dhe aq më pak normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Përkundrazi, mendoj se uljes së tensioneve dhe ecjes përpara në dialog do t’i shërbente vetëm një qasje më objektive e Bashkimit Evropian, e cila do të nënkuptonte vënien e përgjegjësisë ndaj palës që po shkakton dhunë dhe destabilitet dhe jo ta sanksionojë Kosovën që po angazhohet për demokraci, siguri e ligjshmëri”, deklaron Sami Blakaj./Gazeta Blic/