Lajme

Masat e BE-së, analistët politik: Të padrejta dhe të gabuara, Serbia s’po sanksionohet për shkeljet – joshja e saj ka shkaktuar amulli

07/02/2023 19:30
nga:G B

Bashkimi Evropian ka marrë disa masa ndaj Kosovës, pas situatës në veri e mos shtensionimit të saj.

Kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti, i ka cilësuar këto masa si të “padrejta”.

Ai ka thënë sot se shteti i Kosovës nuk mund të bëjë kompromis me sundim e ligjit e as me kushtetutshmërinë.

Lidhur me këto masa, analistët kanë dhënë mendimet e tyre.

Analisti politik, Blerim Gashi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se është qasje e gabuar dhe e padrejtë e BE-së ndaj Kosovës, kur po i jep karota Serbisë e ndaj Kosovës po e mpreh shkopin.

Sipas tij, nevoja për të joshur Serbinë në orbitën perëndimore ka shkaktuar një debalancim edhe amulli në BE për trajtimin e Kosovës.

“Një mprehje e shkopit ndaj Kosovës në kohën kur karotat nuk kanë të ndalur ndaj Serbisë gjithsesi që janë tregues i hidhur i qasjes shumë të padrejtë dhe krejtësisht të gabuar të BE-së. Nevoja për të joshur Serbinë në orbitën perëndimore ka shkaktuar një debalancim edhe amulli në BE se si duhet trajtuar Kosovën, në kohën kur Serbia realisht është promotor i dhunës, hegjemonisë, përshkallëzimit të skajshëm të akteve të ndryshme destabilizuese nëpërmjet mashave të saja jo vetëm në Kosovë”, vlerëson Gashi.

Ai potencon se Kosova duhet të orientohet drejt respektimit rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit por edhe të gjejë modalitete për qëndrime të saj me aleatët.

“Shtegu përpara i Kosovës në këtë konstelacion politik duhet patjetër të orientohet drejt respektimit të rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit por edhe gjetjes së modaliteteve bashkëpunuese e afirmuese të qëndrimeve të saja me e ndaj aleatëve”, deklaron Blerim Gashi për Gazeta Blic.

Ndërsa, analisti Gazmir Raci, thotë se pavarësisht masave ndaj Kosovës, BE nuk po e sanksionon Serbinë për veprimet e saj e shkeljet e marrëveshjeve.

“Edhe përkundër këtyre masave të njëanshme ndaj Kosovës, sepse Serbia nuk po sanksionohet për asnjë dështim, që nga pranimi i planit franko-gjerman dhe aneksi i Ohrit, ku në mënyrë flagrante në shumicën e rasteve Serbia ka shkelur obligimet që kanë dalë jo vetëm nga këto marrëveshjet e fundit, por nga të gjitha marrëveshjet që nga viti 2011”, thekson ai për Gazeta Blic.

Ai potencon se Kosova është partner i BE-së dhe perëndimit dhe nuk ka alternativë tjetër, derisa shton se qeveria do të gjejë rrugëzgjidhje për të kaluar këto sfida momentale dhe për të ecur tutje.

“Kosova mbetet faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin perëndimor, mbetet partner i sinqertë i BE-së dhe perëndimit sepse nuk ka alternativë të dytë, Kosova nuk ka alternativë me të cilën flirton dhe më pas kushtëzon perëndimin siç po bën Serbia me Rusinë. Andaj, rrugëtimi jonë është strategjik për anëtarësim në BE dhe NATO, pro unë dua të besoj se lidershipi ynë politik qeverisës do të  gjejë rrugëzgjidhje për të kaluar këto sfida momentale dhe për të ecur tutje. Është momenti i fundit që nëse palët i rikthehen dialogut për të zbatuar planin franko-gjerman, nga komuniteti ndërkombëtar duhet saktë garancion i fuqishëm që Serbia më nuk do t’i bishtnojë zbatimit ose jo të obligimeve që i ka marrë deri tani në raport me Kosovën”, shprehet Raci.

Ai ka përmendur se si Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ka strehuar afganë e ukrainas, si argumente të fuqishme se Kosova është aleat i perëndimit.

“Kosova ishte e para që i vendosi sanksione Rusisë për shkak të invazionit në Ukrainë, edhe pse Ukraina nuk e njeh shtetin e Kosovës ende, Kosova iu bashkua komunitetit ndërkombëtar. Kosova hapi dyert për afganët pas kërkesës që i erdhi nga komuniteti ndërkombëtar. Kosova pranoi një numër të konsiderueshëm të gazetarëve të Ukrainës, gjë që Serbia jo vetëm që nuk pranoi asnjë refugjat të Ukrainës, por bëri marrëveshje diplomatike në kulmin e invazionit rus në Ukrainë. Kështu që argumentet janë të fuqishme që Kosova mbetet aleat strategjik i perëndimit në Ballkanin Perëndimor, sepse kombi shqiptar ka vendosur me kohë që të jetë i rreshtuar drejt aleancës veriatlantike”, deklaron Gazmir Raci./Gazeta Blic/